×
  • Lajme
  • Lajme

    DASH’i publikon raportin mbi liritë fetare, çka thuhet për Kosovën

    Reporteri
    02 Qershor 2022 | 18:49

    Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të enjten raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, që përfshin të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtete e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.

    Raporti analizon në kapituj të veçantë edhe gjendjen e lirisë së besimit në Shqipëri dhe Kosovë.

    KOSOVA

    Në kapitullin për Kosovën, raporti thekson se Kushtetuta ndalon diskriminimin fetar dhe siguron lirinë e besimit, por tërheq vërejtjen se ligji nuk lejon që grupet fetare të regjistrohen si persona juridikë. Një projektligj i hartuar për t’u dhënë atyre një status të tillë, i paraqitur në Parlament në vitin 2020, mbeti pezull.

    Bashkësia Islame e Kosovës tha se disa shkolla vazhduan të zbatojnë një direktivë të Ministrisë së Arsimit që ndalon veshjen fetare, duke ua mohuar qasjen në shkollë nxënëseve që mbanin shami.

    Raporti nënvizon se në muajin shtator, Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi Prokurorin e Shtetit për refuzimin e vazhdueshëm të Qeverisë për të zbatuar vendimin e asaj gjykate të vitit 2016, që i njihte Kishës Ortodokse Serbe pronësinë e rreth 24 hektarëve tokë rreth Manastirit të Deçanit. Në përgjigje të moszbatimit të vazhdueshëm nga Qeveria, si të atij vendimi, ashtu edhe të një marrëveshjeje të vitit 2020 për punimet në rrugë brenda Zonës së Posaçme të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit, Kisha Ortodokse Serbe ndërpreu komunikimin zyrtar me Qeverinë në muajin maj.

    Në muajin tetor, media raportoi se autoritetet po hetonin një organizatë joqeveritare të krishterë, pas ankesave se organizata publikonte fotografi të fëmijëve së bashku me përmbajtje fetare pa lejen e prindërve. Media raportoi se OJQ-ja mohoi shkeljen e ligjeve.

    Në muajin gusht, Bashkësia Islame e Kosovës dhe media raportuan se policia arrestoi autorin Gjin Morena nën akuzën për botimin e poezive që nxisin jotolerancën ndaj myslimanëve. Morena më pas u deklarua fajtor dhe u gjobit.

    Përfaqësuesit e Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës thanë se mungesa e mbështetjes institucionale për të siguruar varrezat për besimtarët e tyre i pengoi ata të kryenin shërbimet e varrimit sipas besimit të tyre.

    Sipas Kishës Ortodokse Serbe, në muajin qershor, policia, pa asnjë shpjegim, urdhëroi një autobus me pelegrinë serbë të kthehej në Serbi. Në prill, federata pan-evropiane e organizatave të shoqërisë civile të trashëgimisë kulturore, Europa Nostra, përfshiu Manastirin e Deçanit në listën e shtatë vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë, një përcaktim që zyrtarët qeveritarë thanë se ishte “i njëanshëm” dhe “i pasaktë”.

    Raporti vë re se në qershor, një qytetar malazez brohoriti “Vritni shqiptarët” gjatë një tubimi me rastin e ditës së Shën Vitos në Gazimestan, afër Prishtinës. Gjykata e Prishtinës e dënoi me gjobë në vend të burgimit dhe i ndaloi hyrjen në vend për pesë vjet.

    Bashkësia Islame tha se raportet e mediave vazhduan të portretizojnë komunitetin e saj negativisht, duke kontribuar në një klimë të jotolerancës dhe diskriminimit. Përfaqësuesit e kësaj bashkësie si dhe Kishës Protestante Ungjillore thanë se disa nga pasuesit e tyre hezitonin ta praktikonin besimin e tyre hapur, për shkak të frikës nga diskriminimi.

    DASH-i citon raportet e policisë së Kosovës për 87 incidente gjatë vitit, ndërsa një vit me parë kishte regjistruar 57 të tilla.

    Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë raportoi se vazhdon të mbështesë përmirësimin e marrëdhënieve midis komuniteteve fetare dhe komunave.

    Zyrtarët e ambasadës amerikane vazhduan të inkurajojnë Qeverinë të miratojë ligjet që u lejojnë grupeve fetare të fitojnë statusin juridik, të zbatojnë mekanizmat për të mbrojtur lirinë e besimit, të zbatojnë legjislacionin dhe vendimet gjyqësore në lidhje me objektet fetare të Kishës Ortodokse Serbe dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet pronësore me këtë kishë.

    Qeveria amerikane vlerëson se nga 1.9 milion banorë sa besohet të ketë Kosova, 95.6 për qind janë myslimanë, 2.2 për qind katolikë si dhe 1.4 për qind i përkasin besimit ortodoks. Ligji nuk përcakton një besim zyrtar, por rendit pesë bashkësitë fetare “tradicionale” që marrin mbrojtje dhe përfitime shtesë, përfshirë ulje taksash./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!