Një student i ri është kthyer në një nga personazhet më të komentuar të protestës së sotme në Tiranë, pasi pamjet e përleshjes së tij fizike me gjashtë efektivë të Policisë kanë nisur të qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale.

Videoja, e cila po shpërndahet në rrjetet sociale, tregon momentin kur i riu përballet i vetëm me disa pjesëtarë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, gjatë protestës së zhvilluar të martën para Ministrisë së Arsimit.

Në pamjet e publikuara shihet se si një efektiv i afrohet studentit dhe e shtyn, ndërsa ky i fundit reagon duke u përleshur fizikisht me të.

Reklamë

Brenda pak sekondash, në përleshje përfshihen edhe policë të tjerë, duke e rrethuar të riun nga disa drejtime.

Megjithëse ndodhet përballë rreth gjashtë efektivëve, studenti vazhdon të kundërshtojë ndërhyrjen, duke goditur me grushte në drejtim të policëve.

Nga pamjet shihet se edhe disa efektivë përdorin shkopinj gome ndaj tij, ndërsa përleshja vazhdon për disa momente, derisa forcat policore arrijnë ta vënë nën kontroll.

Në fund të incidentit, i riu shfaqet i gjakosur teksa shoqërohet nga policët.

Videoja e përleshjes është bërë një nga pamjet që kanë tërhequr vëmendje gjatë protestës, duke nxitur reagime dhe diskutime për veprimet e studentit dhe përdorimin e forcës nga policia.

Reklamë

Kush është studenti që u përlesh me policët?

I riu është identifikuar me emrin Kevin në një reagim publik të deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Pas përleshjes, ai është vënë nën kontroll nga policia dhe është shfaqur në një tjetër video me pranga, i mbajtur pas një porte.

Pamjet e kësaj skene kanë nxitur reagime lidhur me mënyrën e trajtimit të tij nga efektivët.

Reklamë

Deri më tani nuk janë bërë të qarta të gjitha rrethanat e incidentit dhe as nëse ndaj studentit është vendosur ndonjë masë formale arrestimi apo vetëm shoqërimi policor.

Tabaku e viziton në spital: Kishte shenja të trajtimit çnjerëzor

Për rastin ka reaguar edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila ka publikuar videon ku studenti shihet i lidhur me pranga pas një porte.

Tabaku ka bërë të ditur se e ka vizituar të riun në spital, duke pretenduar se ai kishte shenja të dukshme të dhunës.

Reklamë

“Kevinin e takova sonte në spital, me shenjat e dukshme të një trajtimi çnjerëzor, një pjesë të të cilit e shihni në këtë video”, ka shkruar deputetja.

Ajo ka kritikuar ashpër veprimet e autoriteteve, duke thënë se protesta e të rinjve pasqyron pakënaqësinë e qytetarëve me qeverisjen në Shqipëri.

Protesta në Tiranë përfundoi me të lënduar dhe të shoqëruar

Protesta studentore nisi rreth orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku studentët dhe qytetarët u mblodhën për të kundërshtuar kushtet në universitete, kostot e arsimit dhe mungesën e perspektivës për punësim.

Reklamë

Tubimi u përshkallëzua në përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, ndërsa ndaj godinës së Ministrisë u hodhën gurë dhe sende të tjera.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë uji për shpërndarjen e protestuesve.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, gjatë incidenteve janë shoqëruar 23 persona, ndërsa kanë mbetur të lënduar gjashtë efektivë policie dhe një gazetare.

Autoritetet kanë deklaruar se ndërhyrja e policisë ishte proporcionale, ndërsa pamjet e përplasjes me studentin kanë ngritur pikëpyetje për mënyrën e përdorimit të forcës gjatë protestës.

Video është shpërndarë edhe nga deputeti socialist Taulant Balla. Ai e ka shpërndarë për të justifikuar dhunën e policisë me arsyetimin se kanë qenë protestuesit ata që kanë sulmuar.