Ministrja shqiptare e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka vizituar në Spitalin e Traumës në Tiranë 19-vjeçarin, të cilit, efektivët e policisë i thyen këmbën pas dhunës së ushtruar.
Ai dëgjohet duke i thënë ministres se nuk kishte lidhje me protestën dhe se ishte duke kaluar në rrugë.
Në lidhje me rastin e të riut, janë pezulluar nga detyra katër efektivë dhe shefi i Komisariatit të Policisë Nr. 1, ndërsa kanë nisur hetimet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokuroria.
Policia shqiptare ka njoftuar se behet fjalë për një 19-vjeçar, i identifikuar me inicialet L. B..
Pavarësisht verifikimeve të nisura, “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, “me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi”, vijon tutje njoftimi.