×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Mijëra njerëz në rrugë pas alarmit fals për tërmet, Rama: Fajtorët do mbajnë përgjegjësi penale

    Reporteri
    22 Shtator 2019 | 23:49

    Pas tërmetit 4.4 ballë të shkallës Rihter, qindra qytetarë kanë dalë nga banesat e tyre në Tiranë, të frikësuar nga lëkundjet që sërish tronditën kryeqytetin dhe rrethinat.


    Shumë qytetarë kanë vendosur të dalin nga banesat, ashtu siç sugjerojnë fotot e mëposhtme.

    E sikur të mos mjaftonte tërmeti prej 4.4 ballës, një lajm i rremë ka qarkulluar me shpejtësi në median sociale dhe në disa portale, ku i vihej në gojë sizmiologut grek Akis Tselentis fakti se në orën 23:30 Shqipërinë do ta godasë një tërmet prej 6 ballësh të shkallës Rihter.

    Autoritetet kanë reaguar me shpejtësi në lidhje me lajmin, duke e hedhur poshtë si një “fake news” me qëllim për të sjellë panik mes qytetarëve.

    Ndaj lajmit të publikuar nga portali Syri.net ka reaguar kryeminsitri shqiptar, Edi Rama, i cili ka thënë se fajtorët do mbajnë përgjegjësi penale.

    “Ky është një fakenews kriminal për të përhapur panik dhe çdo idiot që shkruan për parashikime tërmetesh thjesht duhet neveritur?”, ka shkruar Rama.

    Madje Ministra e Mbrojtjes ka deklaruar se do të ndiqet penalisht kushdo që ka publikuar një lajm të tillë të pavërtetë.

    “Prej disa minutash qarkullon në disa portale dhe rrjete sociale një lajm i rreme mbi parashikimin e një tërmeti me përmasa, në orën 23.30. I bëjmë thirrje të gjithë qytetareve, të mos bien pre e njoftimeve të tilla keqdashëse dhe përhapës paniku pasi nuk ka asnjë parashikim të tille shkencor nga asnjë institucion shkencor. Të gjithë ata që kanë përhapur këtë lajm do të mbajnë përgjegjësi penale”, njofton ministria e Mbrojtjes.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!