Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar sot më 11 dhjetor, pas zgjedhjes të Klodian Brahos në krye të SPAK.
Në postimin e ambasadës në rrjetet sociale, fillimisht përgëzohet Altin Dumani, për drejtimin e deritanishëm e institucionit të drejtësisë.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Altin Dumanin për shërbimin e tij të pashembullt si kryeprokuror i SPAK. Integriteti dhe guximi i tij në mbajtjen e kriminelëve përgjegjës kanë forcuar bashkëpunimin mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, duke na bërë më të sigurt nga kërcënimi i krimit ndërkombëtar dhe trafikut të drogës”, thuhet në njoftim.
Më tej, saktësohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin me kënaqësi që të vijojnë bashkëpunimin edhe me kreun e zgjedhur të SPAK, Klodian Brahon.
“Ne presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë të fortë me kryeprokurorin e ri të Posaçëm, Klodian Brahon, në rolin e tij të ri në krye të SPAK”, mbyllet njoftimi i ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
Kujtojmë se sot më datë 11 dhjetor 2025, KLP zgjodhi me shumicë votash Klodian Brahon si drejtues të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Në garë, së bashku me të, për drejtimin e SPAK ishin edhe prokurorët Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu e Elvin Gokaj.