Redaksia e “Syri TV” po raportohet se ditët e fundit është përfshirë nga tensione të brendshme, pasi një pjesë e gazetarëve të newsroom-it kanë dalë në protestë duke refuzuar përkohësisht të paraqiten në punë. Shkak, sipas mediumit shqiptar “Prapaskena”, janë vonesat në pagesa, të cilat pretendohet se nuk i kanë marrë që katër muaj.

Sipas të njëjtit raportim, bëhet fjalë kryesisht për reporterë terreni dhe staf redaksional, të cilët kanë shprehur shqetësime për situatën e tyre financiare dhe pasigurinë në marrëdhënien e punës, përcjell Reporteri.net artikullin e “Prapaskena“. Ata pretendojnë se pagesat nuk janë kryer në kohë dhe se mungesa e qartësisë ka rënduar gjendjen ekonomike dhe psikologjike të stafit.

Situata raportohet të ketë agravuar deri në pikën që gazetarët kanë bojkotuar përkohësisht punën. Pas kësaj lëvizjeje, drejtues të televizionit, sipas pretendimeve të ngritura, kanë kryer pagesa të pjesshme, përcjell Reporteri.net.

Reklamë

Ndërkohë, raportimi i medias shqiptare pretendon se në opinionin publik dhe brenda redaksisë kanë qarkulluar akuza ndaj drejtuesve të televizionit për menaxhim jo transparent dhe përfshirje në aktivitete që lidhen me përfitime personale. Po ashtu, raportohet se janë artikuluar pretendime për kërkesa të paligjshme për përqindje në projekte të financuara nga pushteti vendor apo qendror.

Deri në publikimin e këtij lajmi, drejtuesit e Syri TV nuk kanë dalë me një qëndrim publik mbi pretendimet e ngritura nga stafi.

“Syri TV” drejtohet nga gazetari Çim Peka, ndonëse aludohet se është në pronësi dhe kontroll të familjes së Sali Berishës. /Reporteri.net/.