Anëtarë të një bande kriminale shqiptare janë dënuar me burg pasi vodhën sende me vlerë mbi 1 milion funte në dhjetëra grabitje. Policia britanike tha se ata “mburreshin” për krimet e tyre dhe “ndanin imazhe të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”, si ora dhe çanta të markave të njohura.
Pamjet e kamerave të sigurisë (CCTV) i shfaqën ata duke tërhequr një kasafortë mbi një gardh kopshti gjatë një grabitjeje.
Policia e Derbyshire ka gjetur lidhjen e bandës në të paktën 59 grabitje në zona të ndryshme të Anglisë, përfshirë Derbyshire, Cheshire, Cleveland, Leicestershire, Nottinghamshire, Staffordshire, Warwickshire dhe West Mercia.
Vlera e sendeve të vjedhura vlerësohet mbi 1 milion paund. Një pjesë e tyre është rikuperuar, por shumica mendohet se është shitur.
Endrit Nikolli (27 vjeç), Kristian Gropcaj (30), George Pepa (31), Krisjian Dedndreaj (28) dhe Sidorjan Lleshi (26) pranuan fajësinë.
Në Gjykatën në Chester, Gropcaj u dënua me 10 vite burg, Pepa dhe Dedndreaj me nga 9 vite, ndërsa Lleshi me 10 vite e 9 muaj burg.
Për Nikollin vendimi do të merret më vonë.
Jade Tubb, një grua britanike 33-vjeçare, pranoi fajësinë për komplot për posedim të pasurisë kriminale dhe mori një dënim me 12 muaj burg (me kusht).



Sipas SkyNews, grupi zakonisht hynte në banesa duke përdorur një shkallë dhe duke hyrë nga dritaret e katit të parë ose nga ballkonet. Pasi futeshin brenda, ata vidhnin stoli, çanta të markave të njohura, ora dhe para në dorë.
“Ndërgjegjësimi se të huaj kishin hyrë në shtëpinë tonë ndërsa ne ishim brenda – vetëm një kat më poshtë, ishte diçka që nuk do ta harroj kurrë,” tha një viktimë nga Macclesfield.
“Nuk e dinim nëse ishin të armatosur, sa persona ishin, apo nëse do të zbrisnin poshtë, ndaj u detyruam të barrikadoheshim në dhomën e ndenjes.”
Gjurmë këpucësh, targa dhe ADN
Policia e Derbyshire nisi një hetim në tetor 2024 pas një serie grabitjesh në lindje të Cheshire-it. Duke bashkëpunuar me policinë në Nottinghamshire dhe Staffordshire, hetuesit në Macclesfield i lidhën këto ngjarje me disa raste të tjera përmes gjurmëve të këpucëve.
Më pas, oficerët përdorën sistemin automatik të njohjes së targave (ANPR) për të identifikuar automjetet që ishin të pranishme në vendngjarje. Ata zbuluan se një Ford Focus i kuq, i siguruar në emër të Gropcaj, ishte parë në shumë prej vendeve të grabitjeve.

Policia gjithashtu zbuloi përmes të dhënave të telefonit se Gropcaj kishte qenë në kontakt të rregullt me Nikollin, Dedndreajn dhe Lleshajn. Hetime të mëtejshme treguan se katër të dyshuarit takoheshin rregullisht në një kafene në “Jewellery Quarter” në Birmingham.
Gjurmë ADN-je nga Nikolli u gjetën gjithashtu në vendin e një grabitjeje në Staffordshire. Më 2 korrik, policia ndërmori bastisje në banesa në Walsall, Sutton Coldfield dhe Birmingham, dhe arrestoi Nikollin, Lleshajn, Gropcajn dhe Tubb.
Dedndreaj u ndalua më vonë në Surrey. Oficerët sekuestruan 13 çanta të markave të njohura, 14 ora me vlerë rreth 17,000 paund, telefona celularë që përmbanin kërkime në Google Maps që përputheshin me vendet e grabitjeve, si dhe informacione që tregonin se edhe Lleshi ishte pjesë e bandës.
Ai u arrestua në shtëpinë e tij në Sheffield më 3 shtator.
/Reporteri.net/

