Shqipëria dhe BE-ja janë ulur sot përballë njera-tjetrës në Konferencën Ndërqeveritare, që shënon edhe nisjen e mbylljes së kapitujve të negociatave të anëtarësimit në BE.
Mbledhja e cila nisi rreth orës 19:00, zgjati pak më shumë se 60 minuta përpara se kryeministri Rama, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos dhe zv.ministrja për Integrimin e Qipros, Marilena Raouna, dolën në një konferencë për shtyp.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se vendi do jetë anëtar i BE’së brenda kësaj dekade.
“Ne do të jemi anëtarë të kësaj familjeje brenda kësaj dekade. Unë e di, e ndjej, do të luftoj së bashku me ekipin, jam shumë i bindur që Marta nuk di të heqë dorë nga kjo, përpara fundit të mandatit të saj që përkon me herën e fundit që Shqipëria do të jetë jashtë kësaj shtëpie. Jemi shumë të lumtur dhe ndjehemi shumë të lumtur“, tha Rama.
Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, tha se tani duhet intensifikim i punës.
“Tashmë është koha të përmbushim pritshmëritë e shqiptarëve. Më shumë se 95% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin tuaj në BE. Kemi rrugë të gjatë përpara, por do të vijë shumë shpejt, dhe t’i kthehemi menjëherë punës, ne po punojmë fort për procesin e anëtarësimit”, tha Kos./Reporteri.net