Policia e Shtetit në Shqipëri ka mohuar pretendimet se në protestën e 15 tetorit në Tiranë janë angazhuar punonjës policie nga Serbia, duke i cilësuar këto pretendime si të pavërteta dhe dashakeqe.
Në një reagim zyrtar, Policia ka thënë se përhapja e këtyre lajmeve në rrjetet sociale synon të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste, të krijojë klimë konfliktuale dhe të dëmtojë besimin e qytetarëve te institucionet e sigurisë.
“Policia e Shtetit sqaron se në tubimin e datës 15.10.2026, ashtu si në çdo tubim tjetër, janë angazhuar vetëm punonjës të Policisë së Shtetit, të planëzuar në shërbim në bazë të planit të masave. Pretendimi për angazhimin e punonjësve të policisë nga Serbia është tërësisht i pavërtetë”, thuhet në reagim.
Pretendimet për përfshirjen e shtetasve serbë në dhunën ndaj protestuesve janë shpërndarë masivisht në rrjetet sociale. Në disa mesazhe pretendohej se të rinjtë po sulmoheshin dhe po dhunoheshin nga shtetas serbë, ndërsa në raste të tjera u përhapën pretendime se persona të dyshuar si agjentë nga Serbia po rrëmbenin vajza në rrugë.
Lidhur me këtë rast të fundit, Policia e Shtetit ka dalë gjithashtu me një reagim, duke njoftuar se është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se po drejtonte grupin që sulmonte forcat policore.
Policia ka shprehur keqardhje për përhapjen e lajmeve të pavërteta, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e pretendimeve të pakonfirmuara që mund të nxisin tensione dhe të krijojnë pasiguri.