Tre shoferë janë ndëshkuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj për kundërvajtje të rënda në trafik, pasi janë kapur duke drejtuar automjetet në kundërshtim me rregullat e komunikacionit.

Sipas njoftimit të Policisë, rastet kanë ndodhur në rrugën “Brahim Ademi” dhe në fshatin Lloshkobare të Ferizajt.

Njëri nga shoferët, 33-vjeçar me inicialet A.H., është kapur duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, me 2.11 promilë. Për këtë kundërvajtje është dënuar me 500 euro gjobë, tri pikë negative dhe 12 muaj ndalim të drejtimit të automjetit.

Reklamë

Ndërkaq, 19-vjeçari E.S. është ndëshkuar pasi kishte drejtuar automjetin pavarësisht se ndaj tij ishte në fuqi një masë mbrojtëse nga 27 gushti deri më 26 nëntor 2026. Atij i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe gjashtë muaj ndalim i drejtimit të automjetit, ndërsa i është konfiskuar edhe vetura.

Rasti i tretë ka të bëjë me një shofer 30-vjeçar, me inicialet E.M., i cili në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë ishte 50 kilometra në orë, kishte drejtuar automjetin me 156 kilometra në orë.

Edhe ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe gjashtë muaj ndalim i drejtimit të automjetit.

Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje shoferëve që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit.

“Veprime të tilla rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e tyre dhe sigurinë e qytetarëve të tjerë”, thuhet në apelin e Policisë.

Reklamë