Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar për zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në informimin javor për media, DHSK-ja ka bërë të ditur se Jakup Krasniqi është kthyer në Hagë të shtunën, më 21 nëntor 2026, pas vizitës në Kosovë, e cila ishte miratuar nga Trupi Gjykues për arsye bindëse humanitare.

Sipas gjykatës, vizita ishte realizuar në bazë të rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, e cila mundëson miratimin e vizitave humanitare në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Reklamë

DHSK-ja ka theksuar se kjo ishte vizita e 15-të e këtij lloji nga një i paraburgosur në Kosovë, e miratuar për arsye humanitare dhe e organizuar nga vetë gjykata.

Ndërkohë, më 24 nëntor, Trupi Gjykues urdhëroi publikimin e versioneve me më pak redaktime të transkripteve që përfshijnë dëshmitë e nëntë dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Ky vendim vjen pas vendimeve të mëparshme për publikimin e dëshmive të 67 dëshmitarëve, të cilat fillimisht ishin mbajtur konfidenciale.

Sipas Dhomave të Specializuara, këto vendime dëshmojnë për karakterin publik të procesit gjyqësor dhe përkushtimin e gjykatësve ndaj transparencës, duke ruajtur njëkohësisht mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve.

Gjykata ka bërë të ditur se shumica e dëshmitarëve në procesin gjyqësor kanë dëshmuar tërësisht ose kryesisht në seanca publike, ndërsa 61 dëshmitarë kanë dhënë dëshmi pa masa mbrojtëse.

Reklamë

Në fund, DHSK-ja ka njoftuar se të premten e kaluar ka hapur dyert për publikun në kuadër të Javës së Drejtësisë në Hagë. Gjatë këtij aktiviteti, vizitorëve u është ofruar mundësia të njihen nga afër me hapësirat publike të gjykatës dhe të marrin informacione për mandatin dhe punën e saj.