Policia e Kosovës ka arrestuar pesë shtetas turq në Prizren, të dyshuar për veprat penale të shtrëngimit, privimit të kundërligjshëm të lirisë dhe lëndimit të lehtë trupor.
Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit më 3 nëntor dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një person, gjithashtu shtetas turk, dhe më pas e kanë futur me forcë në një automjet të tipit “pick-up”, derisa ai ishte duke ecur në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren.
Viktima, gjatë intervistimit nga hetuesit policorë, ka deklaruar se pas sulmit fizik, gjatë të cilit kishte pësuar lëndime të shumta trupore, përfshirë edhe nga një mjet i mprehtë (thikë), ishte dërguar kundër vullnetit të tij në një objekt në Prishtinë.
Sipas deklarimit të tij, ai ishte mbajtur aty për rreth 12 orë, ndërsa të dyshuarit e kishin detyruar të hiqte dorë nga punimet ndërtimore që po i kryente në një objekt banesor në Prizren.
Policia ka bërë të ditur se pas pranimit të një video-incizimi lidhur me rastin, hetuesit kishin nisur veprimet për identifikimin dhe lokalizimin e viktimës, i cili u identifikua më 4 nëntor.
Pas hetimeve intensive, më 9 dhe 10 nëntor, janë identifikuar, lokalizuar dhe arrestuar pesë personat e dyshuar për përfshirje në këtë rast. Të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Turqisë.
Ndërkohë, automjeti i përdorur në rast është gjetur dhe sekuestruar përkohësisht me urdhër të Prokurorisë së Shtetit në Prizren.
Me vendim të prokurorit të rastit, pesë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Rasti po hetohet për tri vepra penale: shtrëngim, privim i kundërligjshëm i lirisë dhe lëndim i lehtë trupor.
Policia e Kosovës ka theksuar se, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, nuk do të tolerojë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes vetëgjyqësisë, shtrëngimit apo përdorimit të forcës.