Prokuroria e Shtetit ka vendosur të mos lejojë vazhdimin e punimeve për vendosjen e muralit të Nënës Terezë në Prishtinë, deri në një vendim të gjykatës.

Pas këtij vendimi, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se nuk do të ndërhyjnë për vazhdimin e punimeve, duke marrë parasysh se sot është festë kombëtare.

Komandanti i Policisë, Balaj, e ka njoftuar Ramën për vendimin e Prokurorisë së Shtetit, duke përmendur kontestin ndërmjet Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Komunës së Prishtinës.

Reklamë

“E pranuam zyrtarisht vendimin prej Prokurorit të Shtetit që, deri në një vendim të gjykatës, të mos lejohen zhvillimet e punimeve për shkak të problematikave mes dy palëve, mes Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Komunës. Nuk më lejohet ta nxjerr këtë dokument jashtë pa autorizim. Mediat le t’i drejtohen Prokurorisë”, dëgjohet duke i thënë Balaj Ramës.

Kryetari i Prishtinës e ka kundërshtuar arsyetimin e këtij vendimi, duke pretenduar se objekti ku është planifikuar vendosja e muralit është pronë e komunës dhe jo e ministrisë.

“Cilat dy palë? Ministria nuk është palë këtu. Prokurori paska marrë një vendim, një vendim që është marrë prej asamblistëve, me të gjitha lejet, me të gjitha të drejtat si qeverisje, është bllokuar tash sepse ka kontest mes dy palëve. Pse ministria është palë? Ky objekt s’është pronë e ministrisë, është e Komunës”, ka thënë Rama.

Vendimi vjen pas disa orësh tensionesh në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku Rama dhe zyrtarët komunalë kanë qëndruar në pritje të përgjigjes së Prokurorisë, përkundër reshjeve të borës.

Mozaiku kushtuar Nënës Terezë ishte paraparë të përurohej sot, në Ditën e Flamurit Kombëtar.

Reklamë