Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Gani Gecit.

Lajmin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Geci dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Kanosjes”, sipas nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës ndaj gazetarit Lirim Mehmataj.

Reklamë

Sipas dosjes së Prokurorisë, rasti lidhet me një postim të Mehmetajt në Facebook për deputetin Fatos Geci.

Prokuroria pretendon se Gani Geci e kishte kanosur gazetarin, duke i kërkuar ta largonte ose ta ndryshonte përmbajtjen e postimit.

Në kërkesën për paraburgim përshkruhen edhe deklaratat që Geci dyshohet t’ia ketë drejtuar Mehmetajt në ambientet e mediumit ku punon.

Geci ishte ndaluar paraprakisht për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosja”.