Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë publikuar informacione të detajuara për kushtet në objektin e paraburgimit në Hagë, duke përmendur ushqimin, aktivitetet fizike, vizitat, standardet mjekësore e mundësinë për të dalë në ajër të pastër. Ndaj këtij njoftimi ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka drejtuar akuza ndaj Speciales se po fokusohet në kushtet e paraburgimit, në vend që të japë përgjigje për mënyrën e administrimit të drejtësisë dhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, shkruan Reporteri.net.
Dhomat e Specializuara të dielën përmes një njoftimi, kanë theksuar se kushtet në objektin e paraburgimit janë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare për trajtimin e të burgosurve, duke garantuar respektimin e dinjitetit njerëzor dhe ndalimin e çdo forme diskriminimi.
Sipas Speciales, të paraburgosurit kanë mundësi të dalin çdo ditë në ajër të pastër, të ushtrojnë aktivitete fizike dhe të marrin pjesë në sporte të ndryshme, përfshirë tenisin dhe futbollin.
Përveç aktiviteteve sportive, atyre u mundësohet edhe kopshtaria, piktura, gatimi dhe kalimi i kohës së përbashkët me të paraburgosurit e tjerë. Spias njoftimit, gjithashtu, kanë qasje në shërbesa fetare, materiale shkrimi, mësime të gjuhëve, libra, revista, gazeta dhe programe televizive e radiofonike në gjuhën shqipe.
Sa i përket ushqimit, Specialja bën të ditur se të paraburgosurve u shërbehen tri shujta në ditë, të cilat përshkruhen si të shumëllojshme dhe në përputhje me standardet ushqyese. Ata që dëshirojnë mund ta përgatisin vetë ushqimin, duke shfrytëzuar pajisjet e hapësirat e gatimit, si dhe mund të blejnë produkte ushqimore nga furnizues të jashtëm.
Në njoftim sqarohet se të paraburgosurit nuk mund të mbajnë para të gatshme, por secili ka një llogari personale kredie, në të cilën mund të shtohen mjete financiare për blerjen e produkteve.
Një pjesë e veçantë e njoftimit i kushtohet kontakteve me familjarët. Sipas Speciales, çdo i paraburgosur ka në dispozicion dhjetë ditë në muaj për vizita nga familja dhe miqtë. Kontaktet mund të realizohen edhe përmes telefonatave, letërkëmbimit dhe videolidhjeve.
Po ashtu, të paraburgosurit kanë mundësi për vizita private me bashkëshortet dhe fëmijët, jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të zyrtarëve të paraburgimit.
Sa i përket kujdesit shëndetësor, Dhomat e Specializuara pretendojnë se standardet mjekësore në objektin e paraburgimit përmbushin ose tejkalojnë ato që janë përgjithësisht të disponueshme për qytetarët në Holandë.
Pas këtij njoftimi të Dhomave të Specializuara, reagoi ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e cila shprehu shqetësime për mënyrën e administrimit të provave dhe trajtimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo përmes një reagimi në Facebook ka kritikuar komunikatën e fundit të Gjykatës Speciale, e cila, sipas saj, është përqendruar në kushtet e qëndrimit të të paraburgosurve, përfshirë ushqimin dhe mundësinë për të dalë në ajër të pastër, në vend se të japë përgjigje për çështjet që lidhen me procesin gjyqësor.
“2.356 dokumente nga Serbia në dosje, ajër i pastër dhe tri shujta në ditë në komunikatë. E morëm vesh, Speciale, sa herë në ditë shtrohet sofra në Hagë. Tani na tregoni si u gatua kjo padrejtësi. Rreth 2.356 dokumente nga Serbia u pranuan si prova në Gjykatën Speciale. Dëshmitë e zyrtarëve të lartë të NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe OKB-së nuk morën peshën që meritonin në aktgjykimin e 16 shtatorit. Pas gjashtë vjetësh paraburgim për ish-krerët e UÇK-së, Specialja ka zgjedhur të na tregojë se u shërben tri shujta në ditë dhe se ata kanë të drejtë të dalin në ajër të pastër. Po, e lexuam menynë. Tani të flasim për dosjen dhe drejtësinë”.
“Si u verifikuan ato 2.356 dokumente të ardhura nga Serbia, shteti që ende e quan UÇK-në organizatë terroriste? Çfarë mundësie pati mbrojtja për t’i kundërshtuar? Zyrtarët ndërkombëtarë që kishin qenë të angazhuar drejtpërdrejt në Kosovë u dëgjuan në sallë. Kur erdhi puna te aktgjykimi, dëshmitë e tyre u zhvlerësuan. Pse? Si? Në të njëjtin proces u pranuan 164 deklarata me shkrim, pa i dhënë mbrojtjes mundësinë t’i merrte në pyetje personat që i kishin dhënë. Rreth 2.000 prova u pranuan pasi prokuroria e kishte mbyllur paraqitjen e rastit të saj. Në ç’rrethana quhet kjo barazi mes palëve? Dhe pastaj vjen abuzimi me njerëzoren. Hashim Thaçi nuk u lejua t’i jepte lamtumirën e fundit babait të tij. Vëllezërve u mohohet takimi me vëllezërit e tyre, në derë të shtëpisë. Por Specialja po na kujton me përpikëri se ka dhjetë ditë vizitash në muaj. Sa ditë i duhen një djali për të marrë pjesë në varrimin e të atit? Vetëm një. Pikërisht atë ditë ia mohuat. Kur vetë Gjykata ka konstatuar gabime në rastet e Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës, duke rrëzuar në apel disa prej gjetjeve të fajësisë në rastin e Shalës dhe duke ulur dënimin në rastin e Mustafës, kërkesa për një analizë të pavarur të aktgjykimit të 16 shtatorit është e domosdoshme”.
“Prandaj, si shtet e si shoqëri, nuk do të zmbrapsemi. Do ta çojmë përpara ligjin për mbrojtjen e çlirimtarëve tanë, do ta zbatojmë strategjinë shtetërore për apelin dhe do të lobojmë e ta ngremë zërin anembanë botës. Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që e vërteta të triumfojë në apel”, tha Çitaku në reagimin e saj. /Reporteri.net/.