Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka përditësuar të dhënat mbi gjendjen e fundit të rrugëve që shpien drejt pikave të kalimeve kufitare.
Në orët e mbrëmjes raportohet për vështirësi në qarkullim në rrugën Gjakovë–Qafë e Prushit për shkak të reshjeve të borës, por kjo rrugë mbetet e kalueshme për automjete.
Një situatë e ngjashme vazhdon të mbetet edhe në akset Prishtinë–Mutivodë dhe Podujevë–Merdare, ku qarkullimi i automjeteve është vështirësuar që nga orët e hershme të ditës.
Nga ana tjetër, në të gjitha rrugët që çojnë drejt pikave kufitare nuk ka ngrica e akull, prani të mjegullës apo rrëshqitje të dheut.
Fluksi në të gjitha pikat e kalimeve kufitare vazhdon të jetë i qetë dhe nuk ka pritje në kolona për automjetet.