Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thirri sot në Tiranë ambasadorin e Federatës Ruse, Alexey Zaitsev, për t’i përcjellë një protestë të ashpër pas sulmeve masive me dronë dhe raketa gjatë natës në Ukrainë, ku u godit edhe kompleksi rezidencial ku banon ambasadori i Shqipërisë.

Sulmet ndodhen mbrëmjen e së shtunës, 23 maj, duke goditur kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo.

Filo bëri me dije se situata ka qenë e vështirë, pasi sulmi ka zgjatur për disa orë dhe është shoqëruar me përdorim të dronëve dhe raketave të ndryshme.

Reklamë

“Sulmi ka filluar në orën 22:00 të mbrëmjes së kaluar dhe ka zgjatur deri në orën 06:30 të mëngjesit. Ishte një nga sulmet më të forta që ka ndodhur qëkur kemi hapur ambasadën vitin e kaluar me dronë dhe raketa nga më të ndryshmet, Iskander, Zirkon… deri tek Oreshnik. Ka qenë një sulm masiv që ka vazhduar për orë të tëra.”, u shpreh ambasadori për TV Klan.

Filo tha se vetëm fasada ka pësuar dëmtime, por ndërtesa është akoma e banueshme. Ai shtoi gjithashtu se ka pasur kontakte dhe ka marrë mbështetje nga institucionet ukrainase, ndërsa thekson se trupi diplomatik do të vijojë të qëndrojë në Kiev.

“Më kanë marrë në telefon, janë interesuar dhe më kanë dhënë mbështetje. Kanë shprehur solidaritetin dhe falenderimin që ne jemi këtu. Dhe ne u japim atë mesazhin që i gjithë trupi diplomatik do të qëndrojë këtu për t’i dhënë mesazhin edhe Ukrainës se ne jemi me ta dhe do të qëndrojmë me ta sa të jetë e nevojshme.”, tha ai.