Pamje të rënda të publikuara gjatë ditës së sotme në rrjetet sociale tregojnë efektivë të Policisë duke tërhequr zvarrë një protestues të ri dhe duke e goditur me shkelma, ndërsa ai ndodhej i shtrirë përtokë.

Pamjet janë bërë menjëherë virale dhe kanë nxitur reagime të shumta. Ato rikujtojnë rastin e ditës së parë të protestës, kur një 19-vjeçar pësoi thyerje të këmbës gjatë ndërhyrjes së policisë në tentativë për ta arrestuar.

Pas publikimit të videos, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dy efektivëve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë, inspektorëve E. P. dhe T. Ç.

Reklamë

Po ashtu, është urdhëruar nisja e hetimit disiplinor ndaj tyre nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se dy punonjësit kanë tejkaluar detyrën dhe parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë.

“Policia e Shtetit garanton qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë”, thuhet në reagim.

Tutje, Policia thekson se, ndonëse përgjegjësia është individuale, veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e institucionit dhe besimin e qytetarëve.

Reklamë

Për rastin ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, i cili ka përshëndetur vendimin për pezullimin e dy efektivëve dhe ka thënë se kishte kërkuar nga strukturat përkatëse marrjen e masave pas verifikimeve të nevojshme.

Demo ka deklaruar se, përgjatë tri ditëve të protestave, Policia e Shtetit është përballur me një situatë të vështirë, duke pretenduar se persona të nxitur politikisht, përfshirë të mitur, kanë ushtruar dhunë ndaj policisë, institucioneve, bizneseve dhe pronës private.

Megjithatë, ministri ka theksuar se përgjigjja e policisë duhet të jetë proporcionale dhe në përputhje me ligjin, duke nënvizuar se përgjegjësia duhet të vlejë si për protestuesit që shkelin ligjin, ashtu edhe për efektivët që tejkalojnë kompetencat.

“Profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari”, ka deklaruar Demo.

Reklamë

Në fund, ai u ka bërë thirrje prindërve që të bisedojnë me fëmijët e tyre dhe të mos lejojnë që të miturit të përfshihen në akte të dhunshme apo të përdoren nga politika.

Ministri ka siguruar qytetarët se, sipas tij, shteti i së drejtës do të triumfojë dhe se siguria dhe rendi publik do të garantohen.