Protesta e të rinjve dhe studentëve në Tiranë është mbyllur gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të shtunës, duke lënë pas një bilanc ekstremisht të rënduar të lëndimesh e dëmesh materiale pas përplasjeve më të ashpra të regjistruara deri më tani.

Sipas të dhënave zyrtare të përditësuara nga bluzat e bardha, numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalet e Tiranës ka arritur në 59. Mes të dëmtuarve numërohen 34 efektivë të Policisë së Shtetit, 21 protestues si dhe 4 kalimtarë rastësorë, ku përfshihet edhe një i mitur.

Në këtë ditë të pestë të tensioneve, bulevardi kryesor dhe rrugët dytësore të kryeqytetit u shndërruan në skenë përplasjesh me bomby molotov, gaz lotsjellës, plumba gome e vënien e flakës ndaj disa godinave institucionale e bizneseve private.

Reklamë

Incidentet vazhduan edhe pas largimit të protestuesve nga bulevardi. Molotovë u hodhën drejt ish-hotel “Dajtit”, ku ndodhen zyrat e Bankës së Shqipërisë, duke shkaktuar zjarr në hyrje të institucionit.

Zjarre u raportuan edhe në ambientet e Gjykatës së Lartë, ndërsa u dogjën një biznes dhe automjete në zonën përreth.

Mobilizimi i repartit elitar RENEA rreth Kryeministrisë dëshmoi për shkallën më të lartë të rrezikshmërisë,

Në terren, para Kryeministrisë, ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ndoqi nga afër zhvillimet dhe operacionin për shpërndarjen e protestuesve.

ndërkohë që organizatorët kanë paralajmëruar se revolta popullore do të vijojë edhe gjatë ditës së sotme duke hyrë në ditën e saj të gjashtë.

Reklamë

Reagimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Përshkallëzimi i protestave në Shqipëri ka nxitur reagime edhe nga zyrtarë amerikanë, të cilët kanë shprehur shqetësim për situatën dhe kanë kërkuar respektimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve.

Kongresisti amerikan Joe Wilson ka thënë se po e përcjell me shqetësim krizën në Shqipëri, duke i bërë thirrje qeverisë që të përmbahet nga dhuna ndaj protestuesve.

“Po e përcjell me shqetësim të madh krizën në përshkallëzim në Shqipëri, anëtare e NATO-s. Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë e dhunës ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zë në të ardhmen e vendit të tyre”, ka shkruar Wilson në rrjetin social X.

Reklamë

Edhe kongresisti amerikan Robert Aderholt ka shprehur shqetësim për trazirat, duke kërkuar respektimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave të protestuesve paqësorë.

“Jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e trazirave në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione të përgjegjshme dhe lirinë për t’i shprehur mendimet e tij. Të gjitha palët duhet ta refuzojnë dhunën, ndërsa qeveria duhet t’i respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë e Shqipërisë meritojnë të kenë zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre”, ka shkruar Aderholt.

Ndërkaq, kongresisti Keith Self i ka cilësuar protestat si pasojë të mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe pakënaqësisë për mosrespektimin e sundimit të ligjit.

“Protestat në Shqipëri janë kulmi i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes nga shpërfillja e plotë e sundimit të ligjit”, ka shkruar ai.

Reklamë

Self ka shtuar se udhëheqësit shqiptarë duhet t’i dëgjojnë kërkesat për ndryshime thelbësore, të cilat, sipas tij, duhet të krijojnë mundësi ekonomike dhe të kontribuojnë në stabilitetin rajonal.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve që protestojnë të veprojnë në mënyrë paqësore dhe të shmangin aktet e dhunës.

Përmes një reagimi në Facebook, ambasada ka theksuar se dhuna, trazirat, lëndimi fizik i personave të tjerë dhe shkatërrimi i pronës nuk përbëjnë angazhim qytetar.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që zgjedhin të demonstrojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme”, thuhet në reagim.

Reklamë

Ambasada amerikane u ka bërë thirrje gjithashtu të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi, në një kohë kur tensionet në Shqipëri janë përshkallëzuar. /Reporteri.net/.