Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike në fshatrat e Hasit, duke thënë se banorët e kësaj ane po përballen me mungesë të rrymës deri në 24 orë.

Ajo në një reagim në Facebook, ka thënë se kjo situatë është edhe më shqetësuese në kohën kur Kosova importon energji elektrike, ndërsa qytetarët e Hasit detyrohen të përballen me ndërprerje të gjata të furnizimit.

Sipas saj, këta banorë po diskriminohen në dy mënyra: fillimisht duke u lënë pa energji elektrike dhe më pas duke paguar, përmes tarifave të energjisë, edhe koston e importit të energjisë që shpenzohet nga konsumatorët e tjerë.

Reklamë

“Njëherë, duke i lënë pa energji elektrike, e pastaj duke ua ngarkuar përmes tarifave edhe koston e importit të energjisë që e shpenzojmë ne që s’kemi reduktime”, ka shkruar ajo.

Postimi i saj i plotë:

STOP diskriminimit të dyfishtë!

Në kohën kur Kosova importon energji elektrike, banorët e fshatrave të Hasit po përballen me ndërprerje të rrymës deri në 24 orë.

Këta qytetarë po diskriminohen dyfish:

Reklamë

Njëherë, duke i lënë pa energji elektrike, e pastaj duke ua ngarkuar përmes tarifave edhe koston e importit të energjisë që e shpenzojmë ne që s’kemi reduktime.

Kurti pat deklaru se ”në Kosovë jetohet më mirë si qytetar i Republikës sesa si banor i komunës”, por ai e di mirë se banorët e Hasit po kalojnë 24 orë pa rrymë pikërisht se janë qytetarë të Republikës që ai e udhëheqë që gjashtë vjet.

Pra, ta dimë ku jemi: furnizimi me energji është përgjegjësi e nivelit qendror dhe e operatorëve në këtë sektor jo e komunave.

Reklamë