Një 21-vjeçar nga Kosova, Hektor Avdyli, është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përballet me akuza federale për mashtrim kibernetik, shitjen e të dhënave të vjedhura të kartave të kreditit dhe vjedhje të identitetit.
Lajmi është bërë i ditur nga Brad D. Schimel, Ndihmës Prokurori i Parë i SHBA-së për Distriktin Lindor të Wisconsin-it, i cili njoftoi se Avdyli është sjellë në SHBA nga Kosova për t’u përballur me akuzat që lidhen me aktivitetin e tij të dyshuar në forume kriminale në rrjetin e errët (Dark Web).
Sipas njoftimit të autoriteteve amerikane, Avdyli dyshohet se përdorte forume të ndryshme kriminale në internet për të reklamuar dhe shitur informacione të vjedhura të kartave të kreditit, të cilat blerësit mund t’i përdornin për të kryer mashtrime financiare.
Një juri e madhe federale në Milwaukee kishte ngritur aktakuzë ndaj tij në tetor të vitit 2025, duke e ngarkuar me disa vepra penale, përfshirë mashtrimin përmes komunikimeve elektronike, mashtrimin me pajisje të aksesit dhe vjedhjen e rënduar të identitetit.
FBI bleu më shumë se 27 mijë numra të kartave të vjedhura
Sipas dokumenteve të gjykatës, Avdyli dyshohet se përdorte pseudonime të ndryshme në forumet kriminale, ku pretendonte se arrinte të vidhte informacione financiare nga faqet e internetit të blerjeve përmes përdorimit të programeve dashakeqe.
Si pjesë e hetimit, agjentët e FBI-së blenë në mënyrë të fshehtë më shumë se 27 mijë numra të kartave të kreditit të vjedhura dhe të dhëna personale të lidhura me to nga shitësi që po hetohej.
Të dhënat përfshinin numrat e kartave të kreditit, kodet e verifikimit CVV, emrat e mbajtësve të kartave, adresat e tyre, numrat e telefonit dhe adresat elektronike.
Sipas autoriteteve amerikane, në mesin e të dhënave të siguruara ishin edhe informacione për rreth 300 persona që kishin adresa në shtetin e Wisconsin-it.
Hetimet e FBI-së çuan në identifikimin e shitësit si Hektor Avdyli, shtetas i Kosovës.
Në një hard disk iu gjetën rreth 2.7 milionë numra të kartave të pagesës
Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se gjatë hetimeve u zbulua edhe një sasi shumë më e madhe e të dhënave financiare në pajisjet elektronike të të dyshuarit.
Në njërin prej hard disqeve të Avdylit, të sekuestruar gjatë hetimit, agjentët zbuluan afërsisht 2.7 milionë numra të kartave të pagesës, përfshirë karta krediti, debiti dhe karta dhuratash, si dhe informacione personale të lidhura me to.
Në korrik të vitit 2026, autoritetet e Kosovës, në bazë të kërkesës së FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, e arrestuan Avdylin në Kosovë.
Pas procedurave përkatëse, ai u ekstradua në Shtetet e Bashkuara, ku më 20 nëntor 2026 u paraqit para gjykatësit federal të magjistraturës, William E. Duffin, në Milwaukee të Wisconsin-it.
Gjykatësi urdhëroi që 21-vjeçari të mbahet në paraburgim deri në vazhdimin e procedurave gjyqësore.
Prokurori amerikan: E kemi të dyshuarin në paraburgim në tokën amerikane
Duke njoftuar për ekstradimin, Ndihmës Prokurori i Parë i SHBA-së, Brad D. Schimel, tha se vjedhja e identitetit dhe e të dhënave financiare në internet vazhdon t’u shkaktojë dëme të mëdha konsumatorëve amerikanë.
“Fatkeqësisht, nuk ka asgjë të pazakontë në lidhje me konsumatorët amerikanë që u vidhen identitetet dhe informacionet financiare në internet, shpesh nga aktorë të huaj. Kjo ndodh panumërta herë çdo ditë dhe kjo vjedhje u kushton konsumatorëve amerikanë miliarda dollarë”, deklaroi Schimel.
Ai e cilësoi rastin si një zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër krimit kibernetik, duke theksuar se i dyshuari është sjellë në SHBA për t’u përballur me drejtësinë.
“Sot shënohet një ngjarje e jashtëzakonshme në të cilën kemi kapur një kriminel të dyshuar kibernetik të huaj në posedim të një sasie të madhe informacionesh të kartave të pagesës që u përkisnin konsumatorëve të pafajshëm; dhe e kemi atë të dyshuar në paraburgim në tokën amerikane për t’u përballur me ndjekje penale”, tha ai.
Edhe agjenti special i FBI-së në Milwaukee, Alan Karr, vlerësoi bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë rast, duke thënë se hetimi u zhvillua përtej kufijve shtetërorë për të identifikuar dhe ndjekur penalisht personin që dyshohet se qëndron pas skemës së mashtrimit kibernetik.
“FBI-ja është e përkushtuar për të luftuar skemat e mashtrimit kibernetik dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me partnerët tanë lokalë, shtetërorë, federalë dhe ndërkombëtarë për të çmontuar dhe penguar këta kriminelë brenda dhe jashtë vendit. Drejtësia nuk njeh kufij; ajo do t’ju gjejë”, deklaroi Karr.
Në hetimin dhe ekstradimin e Avdylit ndihmuan Zyra e Çështjeve Ndërkombëtare e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së dhe autoritetet e Kosovës, ndërsa Shërbimi i Marshallëve të SHBA-së asistoi në transportimin e tij drejt Shteteve të Bashkuara.
Ndjekja penale e rastit po zhvillohet nga Ndihmës Prokurori i SHBA-së, Benjamin Proctor, në Distriktin Lindor të Wisconsin-it.
Autoritetet amerikane kanë theksuar se aktakuza përmban akuza që ende duhet të provohen në gjykatë dhe se Hektor Avdyli konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të dëshmohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
21-YEAR-OLD EXTRADITED TO THE US OVER MASSIVE DARK WEB CREDIT CARD FRAUD SCHEME
Hektor Avdyli, 21, has been extradited from Kosovo to the United States to face federal charges over an alleged cybercrime operation involving the sale of stolen credit card details and personal information on dark web forums.
The FBI investigation saw agents covertly purchase more than 27,000 stolen credit card numbers and associated personal details from a seller they later identified as Avdyli.
Investigators also allegedly discovered approximately 2.7 MILLION payment card numbers on one of his hard drives, including credit, debit and gift cards.
The stolen data reportedly included card numbers, security codes, names, addresses, phone numbers and email addresses. Around 300 individuals in the dataset had Wisconsin addresses.
Avdyli was arrested in Kosovo in July 2026 following a request from US authorities and was extradited to America.
He appeared before a federal court in Milwaukee on 20 November 2026 and was ordered to remain in custody pending trial.
He faces charges including wire fraud, access device fraud and aggravated identity theft.
Avdyli is presumed innocent unless and until proven guilty in court.
Credit: FBI Milwaukee / US Department of Justice
— Not Guilty TV (@Notguiltytv) November 23, 2026