Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në një konferencë për media me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dhënë detaje të sulmit terrorist të 24 shtatorit, ndërsa ka thënë se po përgatiten sulme të reja.
Kurti tha se Millan Radojiçiq dhe pjesëtarë të Mbrojtjes Civile po përgatiten për sulm të ri ndaj Kosovës, shkruan Reporteri.net.
“Pas sulmit në Banjskë, Millan Radojiçiq u lirua në kohë rekorde, por ai po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në Kosovë bashkë me disa pjesëtarë të Mbrojtjes Civile”, ka thënë Kurti në konferencë, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se terroristi Millan Radoiçiq është duke mbajtur takime sekrete me zyrtarë të lartë të Shërbimit Sekret Serbe (BIA), në Rashkë.
Kurti tha se dyshohet se arsenal armatimi po fshihet në një hotel në Novi Pazar.
“Një arsenal armësh po duket që po fshihet në një hotel në Novi Pazar, rreth 25 kilometra distancë nga pika kufitare në Jarinjë. Aty ka të fshehur armatim të ngjashëm që është përdorur në sulmin terrorist në Banjskë”, tha Kurti.
Kurti tha se grupe të armatosura terroriste kanë planifikuar që në nëntor të këtij viti ta sulmojnë Komunën e Zubin Potokut, shkruan Reporteri.net por se kanë dështuar.
“Gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të Komunës së Zubin Potokut, me qëllim marrjen e vilës së Radoiçiqit në brigjet e Liqenit të Ujmanit. Por, këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të zgjedhjeve në Serbi”, tha Kurti në konferencë.
Kurti u pyet nga gazetarët se çfarë po ndërmerr shteti pas këtyre paralajmërimeve për sulme të reja, me çr’ast tha se patrullimi i përbashkët me KFOR-in duket se i ka zmbraps planet.
“Kufiri me Serbinë është më i gjati 381 km, është më i gjatë sesa kufiri marr së bashku Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë. Ajo çfarë po bëjmë ne dhe që duket se i kanë zmbrapsur planet për sulm është patrullimi i përbashkët me KFOR-in dhe kjo tashmë po ndodh… policët tanë së bashku NATO po patrullojnë përgjatë kufirit”, deklaroi kryeministri Kurti.
Ai më tej lavdoi punën e Agjencisë Kosovare të Intelegjencës.
“Në anën tjetër kemi një inteligjencë shumë të suksesshme të Kosovës. Është e paparë puna e AKI-së, në kuptimin e dyfishtë të fjalës edhe për shkak se është paparë se është çështje sekrete dhe për shkak se kësi rezultatesh janë të papara në historinë e kësaj agjencie për çka i falënderoj. Kur kësaj i shtohet bashkëpunimi me aleatët ne jemi tejet të përgatitur ndaj çfarëdo sulmesh që mund t’i mendoj dikush që t’i zmbrapsim suksesshëm”, tha ai.
Kryeministri tutje tha se nuk dëshiron luftë.
“Jam një politikan që dëshiroj të mos ketë luftë kurrë. Le të kryhet kjo punë me brezin tonë mua dhe Sveçlën, dhe brezin e Vuçiqit, por të mos bartet konflikti, lufta dhe gjakderdhja te brezi i ri”, tha Kurti.
“Por ka një mësymje që lufta, konflikti të bartet edhe tek brezi i ri dhe kjo është brengosëse për mua. Është e rëndësishme të ndërprirtet dhe të orientohemi kah normalizimi i marrëdhënieve dhe drejt integrimit europian”, tha Kurti.
Asociacioni…
Kryeministri Albin Kurti ka komentuar sërish një deklaratë të emisarit Miroslav Lajçak i cili ka deklaruar se çështja e Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës dhe se për këtë s’duhet që Serbia të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën.
Kurti tha se kjo deklaratë e tij është “regjistër tjetër i gjërave” dhe insiston se tjetër gjë ka ndodhur në Bruksel.
“Në bisedimet e Brukselit vazhdimisht është thënë që për një draft-statut duhet të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi dhe është sjellë në tryezën e dialogut. Më 2 maj kam dëgjuar me durim ish-deputeten e SNS-së, Daniela Vujeçiq, udhëheqëse e të ashtuquajturit Ekip Menaxhues, duke e laboruar gjysmë ore se si duhet të duket Republika Serbe në Kosovë. Ka pasë shumë trysni mbi qeverinë që edhe ne të propozojmë një draft, ndërsa drafti i saj s’ishte zhvlerësuar nga ndërmjetësi”.
Kurti ka thënë se ka qenë shumë legjitime ngritja e kësaj çështje në Bruksel nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Paraprakisht kur ngritej nga presidenti i Serbisë çështja e Asociacionit dhe një gjë e tillë, një ngritje e tillë e temës konsiderohej legjitime nga ndërmjetësit unë pata ofruar më 18 mars, që në tri parime, të paraqesin principet mbi të cilit unë nënshkruaj draftin. Patën thënë se është e papranueshme për Serbinë dhe rrjedhimisht çështja pat ngecur”.
Kurti tha se pas deklaratës së fundit të Lajçakut tashmë i bie që është humbur kohë kot duke e diskutuar një çështje të brendshme të Kosovës në Bruksel.
“Dhe tash nëse draft-statuti i asociacionit prej ndërmjetësit thuhet se është një çështje e brendshme e Kosovës ky është regjistër tjetër i gjërave. Me fjalë tjera, ne paskemi humbur kohë sa herë është ngritur Asociacioni në tryezën e dialogut në Bruksel. Por, unë s’e kam ngritur asnjëherë, tjetërkush e ka bërë atë. Kjo i bie që koha në Bruksel për draftin për Asociacionin gjatë këtyre dy viteve paska qenë e panevojshme si temë, rrjedhimisht e humbur si kohë. Kjo është arsyeja pse thashë që nëse është një çështje ekskluzivisht e Kosovës, plotësisht dakord, atëherë Kosova për çështje të brendshme jo vetëm që ka Qeveri, por edhe ministra përkatës. Unë s’kam thënë se do ta shkruaj, por kam thënë se mund ta shkruaj draftin dhe kam treguar se cilët janë ministrat e mi se kush janë ata”, tha Kurti. /Reporteri.net/.