Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat reagoi ashpër lidhur me zhvillimet që ndodhën këtë të martën në Kuvend. Berisha e cilësoi fillimin e sesionit parlamentar si “dramatik” dhe akuzoi mazhorancën për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe rregullores së Parlamentit.

“Ishte një fillim dramatik dhe nuk mund të ishte ndryshe nga individë që janë përfaqësues të karteleve të drogës, korrupsionit dhe vjedhjes së shqiptarëve. Të vendosësh një parlament dhe jetën e tij në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe rregullores është një akt madhor, i papërgjegjshëm, është një atentat i rëndë ndaj rendit kushtetues të vendit, kushtetutshmërisë dhe shtetit ligjor.”

Pavarësisht se procesi i votimit u bojkotua nga opozita, ndryshimet u miratuan me 79 vota pro, akt që për Berishën përbën shkelje të parimeve themelore të Kushtetutës.

Reklamë

Ai paralajmëroi se kërkesa për pezullimin e vendimit të sotëm do të dërgohet me urgjencë në Gjykatën Kushtetuese. Edhe Diella do të jetë pjesë e shkresës për në Gjykatë.

“Kushtetuta dhe rregullorja parashikojnë si rrugë të vetme të ndryshimit të rregullores afatin 1-javor minimal. Dhe këta e bën me një afat 1-ditor”, theksoi Berisha.

Sipas tij, vendimet e fundit përbëjnë një atentat ndaj rendit kushtetues dhe shtetit ligjor, duke theksuar se veprime të tilla janë dëshmi e funksionimit të një “narkoshteti” në vend. Më tej kreu i opozitës dënoi gjithashtu mënyrën e procedimit me ndryshimet në komisione, veçanërisht atë të Integrimit, që sipas tij synon të kufizojnë rolin e opozitës në arenën ndërkombëtare.

“Është një dëshmi tjetër e zëvendësimit në këtë vend të shtetit ligjor me narkoshtetin. Në këtë kontekst unë e dënoj me forcën më të madhe një akt të tillë, një fillim të tillë dhe ndryshe nuk mund të ishte nga ky grup njerëzish. Imagjinoni ju se çfarë janë të aftë të bëjnë. U shkel Kushtetuta, u shkel rregullorja e parlamentit, institucionit më të rëndësishëm pas Kushtetutës në Shqipëri.

Është institucioni numër 1 kushtetues i vendit dhe rregullorja e tij është ligji më i rëndësishëm pas Kushtetutës. U proceduar në mënyrë antikushtetuese dhe antirregullore. Por edhe me ndryshimet që iu bënë komisioneve përbëjnë një akt flagrant të ngushtojnë hapësirat e komunikimit të opozitës në komunitetin ndërkombëtar. Pa diskutim Komisioni i Integrimit ishte komisioni në të cilën opozita do të paraqiste të gjithë qëndrimet e saj në interes të procesit të integrimit”./tvklan.al

Reklamë