Kuvendi i Shqipërisë votoi sot më 11 dhjetor për Avokatin e Popullit, duke zgjedhur në këtë detyrë, Endrit Shabanin.
Shabani u votua me 85 vota pro, pa asnjë abstenim dhe me vetëm 3 vota kundër, në një seancë ku vendet e deputetëve të opozitës mbetën bosh, pasi ata u larguan para fillimit të votimit.
Vendimi u mor në një klimë të tensionuar politike, pasi Partia Demokratike ndryshoi disa herë qëndrimet e saj për këtë proces.
Në ditët e mëparshme, PD-ja kishte firmosur në mbështetje të gjashtë kandidaturave që garonin për detyrën e Avokatit të Popullit. Megjithatë, më pas demokratët deklaruan tërheqjen e nënshkrimeve dhe kërkuan në seancë që procedura të shtyhej dhe pika e rendit të ditës të hiqej.
Argumenti i tyre ishte se procesi nuk kishte pasur konsensus politik dhe se mazhoranca po e çonte përpara në mënyrë të njëanshme. Debati vazhdoi për disa orë, deri kur opozita vendosi të largohej nga salla, duke bojkotuar fazën e votimit.
Ndërkohë, mazhoranca socialiste ka mbështetur thuajse plotësisht kandidaturën e Shabanit. Me këtë votim mbyllet periudha trevjeçare e zgjatur e ushtrimit të detyrës nga Erinda Ballanca, e cila qëndroi në krye të institucionit përtej mandatit zyrtar, për shkak të mungesës së marrëveshjes mes palëve politike.
Pas votimit të Shabanit, Kuvendi publikoi rezultatin për secilin prej kandidatëve që ishin në garë, të gjithë të propozuar nga radhët e opozitës.
Rezultatet e votimit të kandidaturave nga Kuvendi ishin këto:
Tartar Bazaj – 1 votë pro, 79 abstenim, 7 kundër
Aranita Brahaj – 4 vota pro, 76 abstenim, 7 kundër
Skënder Haluci – 1 votë pro, 72 abstenim, 14 kundër
Adriana Kalaja – 0 vota pro, 69 kundër, 17 abstenim
Beism Ndregjoni – 0 vota pro, 61 abstenim, 25 kundër
Endri Shabani – 85 vota pro, 0 abstenim, 3 kundër./tvklan/