Kryeministri Rama ka bërë ndryshime të mëdha në qeveri duke hequr nga kabineti emra me peshë elektorale, të cilët janë zëvendësuar nga personazhe të panjohur, gjë e cila bëri që disa ta konsideronin këtë kabinet si “qeveria teknike” e kërkuar prej muajsh nga opozita.

Rama zëvendësoi ministrat me arsyetime publike dhe shkaqe të pathëna të ndryshme nga pas, ndërkohë që bie në sy heqja nga detyra e Pirro Vengut. Ky i fundit llogaritej të jetë një ndër personazhet më të preferuar të Ramës.

Siç raporton “Skyweb” Rama ka pasur një shkak të ndryshëm për shkarkimin e Pirro Vengut, për të cilin e kishte “ndarë mendjen” disa muaj më parë, pasi ish-ministri i Mbrojtjes kishte refuzuar të firmoste një marrëveshje armësh, gjë e cila ai mendonte se do ta ekspozonte rrezikshëm atë si politikan përballë NATO-s, krahas problemeve ligjore që dyshohet se ka kjo marrëveshje, të cilën Rama e kërkonte me ngulm.

Reklamë

Media shqiptare, duke u thirrur në burime brenda PS-së raporton se irritimi i Ramës me Vengun nisi në verën e vitit 2025, kur atij i është dërguar në zyrë një marrëveshje armësh, të cilën i është kërkuar ta firmosë pa vonesa, por gjatë konsultimit të të dhënave dhe kontakteve me aleatët e NATO-s, Vengu është këshilluar të mos e vendosë firmën mbi atë dokument pasi kështu do të ekspozohej rrezikshëm përballë vendeve aleate, ndryshe nga sa këmbëngulte kryeministri.

Me vendosjen e Ermal Nufit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, një personazh që ka shërbyer pranë zyrës së tij, Rama, sipas raportimit, synon të mbarojë punë me këtë marrëveshje, të cilën Vengu ia bllokoi për disa muaj duke ruajtur në radhë të parë veten e tij.