Objekti i Bashkisë së Shkodrës është sulmuar pasditen e sotme nga një grup të rinjsh të maskuar, të cilët kanë hedhur gurë dhe një bombë molotov në drejtim të institucionit, shkruajnë mediat në Shqipëri.
Fillimisht, të rinjtë kanë goditur me gurë objektin e bashkisë, ndërsa më pas kanë hedhur një bombë molotov, e cila ka shpërthyer pranë derës së hyrjes.
Pamjet e sulmit janë publikuar në rrjetet sociale nga Fatjon Mani, kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në degën e Shkodrës.
Nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar.
Ai i ka akuzuar organizatorët e protestave për përdorimin e dhunës në funksion të përballjes politike, duke theksuar se situata e krijuar nuk duhet të cenojë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Protestat e nxënësve në Shqipëri po vazhdojnë për të katërtën ditë radhazi.
Protesta pati nisur para Ministrisë së Arsimit në Tiranë e që më pas përshkallëzoi në përplasje të dhunshme mes nxënësve e Policisë. Protestuesit kanë hedhur gurë e gjësende drejt objekteve private e publike, duke dëmtuar disa prej tyre.
Ata po protestojnë kundër rritjes së kostove të arsimit dhe korrupsionit, ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ka deklaruar se nuk do të largohet nga detyra.
Sipas raportimeve, 156 persona janë lënduar gjatë katër ditëve të protestave në Shqipëri, prej të cilëve 97 policë, 45 protestues dhe 12 kalimtarë. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Demo, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas Demos, në mesin e të lënduarve janë edhe katër të mitur. Ai u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve, ndërsa ka dënuar përfshirjen e fëmijëve në akte dhune, duke u bërë thirrje prindërve që të mos lejojnë pjesëmarrjen e tyre në përplasjet politike.
Demo ka thënë gjithashtu se numri i studentëve në mesin e personave të arrestuar dhe të proceduar për akte të dhunshme është shumë i vogël.