Kryeministri shqiptar Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të diele me një reagim nga zyra e tij, sa i takon protestave të ditëve të fundit ku Tirana u përfshi në kaos.
Me një gur në dorë, tha “se ajo armë mund të bëhet edhe vdekjeprurëse”.
Sipas tij, nuk janë studentët që protestojnë, por një “grup zjarri i paguar”.
“Unë dua që ta nënvizoj këtë me shumë forcë, familjet e atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që janë me uniformë dhe nën uniformë marrin këtë dhuratë (për gurin) në breshëri, pa pushim! Me orë e orë të tëra, ndërkohë që në ekrane demonizohen si autorë të dhunës, janë familje që jetojnë me të ardhura shumë modeste, për sakrificën dhe qëndresën e këtyre heronjve të shtetit. Në këto orë që nuk po sfidohem unë, qeveria, një shumicë qeverisëse, por një rrugë, një mision, një objektiv! Sfidohet Shqipëria europiane, Shqipëria e Bashkimit Europian e vitit 2030”, tha kreu i qeverisë referuar punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë qenë në përballje frontale me protestuesit.
“Dëmet nuk janë të vogla, por rregullohen”, deklaroi ai.
Rama tutje tha se është përpjekur të mos bjerë në kurthin e dhunës së verbër.
“Ja ku jam, nuk kam ikur. Vendosa të jem këtu sot, të shihni në sy dhe të përpiqem të them gjërat e mia, pasi për disa ditë, qysh se kjo flamë ka nisur, jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek me shumë durim një përpjekje aspak të lehtë për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak”, tha ai.