Operacioni i koduar “Audienca” ka goditur një skemë të rrezikshme të tregtimit të suplementeve ushqimore në Tiranë. Policia dhe Prokuroria kanë zbuluar një magazinë të mbushur me produkte të skaduara dhe të kontrabanduara.

Gjatë kontrollit në ambientet e një subjekti që merrej me reklamim digjital, specialistët e Krimeve Ekonomiko-Financiare sekuestruan mbi 10 mijë suplemente bimore e ushqimore, të cilat nuk kishin as pullën e Agjencisë së Barnave dhe as etiketat e detyrueshme në gjuhën shqipe.

Pas dokumentimit të këtyre paligjshmërive përmes hetimeve proaktive, policia ka shpallur në kërkim administratorin e firmës, një 53-vjeçar nga Bosnja dhe Hercegovina me iniciale J. T., si dhe ka nisur procedimin penal për dy punonjës të tjerë të gjetur në biznes.

Reklamë

Ndaj tyre rëndojnë një sërë akuzash të rënda, që nisin nga kontrabanda dhe fshehja e të ardhurave, deri te ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve, ndërkohë që vijon puna për kapjen e administratorit të huaj.