Policia e Shqipërisë ka sekuestruar 4 automjete me vlerë rreth 200 mijë euro, ndërkohë që janë proceduar penalisht dy shtetas dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë.
Automjetet rezultojnë të vjedhur në vende si Italia, Amerika dhe Gjermania, dhe janë trafikuar me qëllim shitjen në Shqipëri.
Në njoftim thuhet:
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në vijim të operacionit policor “Stolen Line” si rezultat i punës hetimore për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të trafikimit të automjeteve luksoze, kanë identifikuar dhe referuar materialet në Prokurori në ngarkim të shtetasve, konkretisht:
-nisi procedimi penal për shtetasin S. C, i cili dyshohet se ka trafikuar automjetin tip “Jeep” me qëllim shitjen në Shqipëri, i cili rezulton i vjedhur në Itali;
-nisi procedimi penal për shtetasin E. Ç, i cili dyshohet se ka trafikuar automjetin tip “Range Rover” me qëllim shitjen në Shqipëri, i cili rezulton i vjedhur në Amerikë;
-shpallën në kërkim shtetasin E. J., i cili dyshohet se ka trafikuar automjetin tip “BMW” me qëllim shitjen në Shqipëri, i cili rezulton i vjedhur në Gjermani;
-shpallën në kërkim shtetasin R. R., i cili dyshohet se ka trafikuar automjetin tip “Seat Cupra” me qëllim shitjen në Shqipëri, i cili rezulton i vjedhur në Itali./A2CNN