Këshilli Bashkiak i Tiranës ka nisur mbledhjen, ashtu siç ishte parashikuar, për të diskutuar për shkarkimin e Erion Veliajt. Që në nisje të saj, kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, tha se vendimmarrja për shkarkimin Veliajt është i imponuar nga nevoja e situatës së krijuar pas arrestimit të kryebashkiakut.

Këshilltarja Megi Fino, e pranishme në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, u shpreh se kryebashkiaku aktual i Tiranës, Erion Veliaj është i pafajshëm.

Më tej, ajo sqaroi se socialistët e këtij këshilli kanë për qëllim vetëm të vendosin Tiranën në funskionin e saj më të lartë, ndaj dhe po hapet rruga për zgjedhje të reja vendore.

Reklamë

“Ai sot është ende një i pafajshëm. Ne këshilltarët socialistë nuk kemi as qëllimin, as mundësinë të ndikojmë në kursin e procesit ndaj tij. Ne kemi vetëm për detyrë të ndryshojmë kursin e drejtimit të kryeqytetit duke I hapur rrugë zgjedhjeve të reja, pasi gjendja e Tiranës kanë nevojë për një fillim të ri e një legjimitet të ri”, tha ajo.

Sakaq, Fino u shpreh se në këtë mënyrë Tirana çlirohet nga ngërçi i krijuar.

“Sot ne po kryejmë detyrimin tonë politik dhe moral ndaj qytetarëve të Tiranës duke çliruar nga ngërçi i krijuar”, tha ajo.

Kurse, këshilltarja e Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, ka folur me ironi ndaj figurës së Erion Veliaj si kryebashkiak i Tiranës.

Në fjalën e saj, Zhulali u shpreh se Veliaj duhet të ishte pjesë e kësaj mbledhjeje shkarkuese të tij, siç e parashikon ligji.

Reklamë

Sakaq, ajo është e lumtur që Veliaj “mori shijen e gjellës që ka gatuar vetë për këto vite”.

“Erion Veliaj është gjallë. Ai duhet të ishte këtu, sic ja lejon ligji. Unë jam e lumtur që ai mori shijen e gjellës që ka gatuar vetë për këto vite, këtë gjellë që sot ja gatuat ju”, tha Zhulali.

Veliaj dhe bashkëshortja Ajola Xoxa janë nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, akuzat të cilat ata i kanë mohuar dhe cilësuar si sulm politik. SPAK pritet të komunikojë përfundimin e hetimit ndaj tyre gjatë këtij muaji.

Mbledhja e sotme shënon një nga momentet më të tensionuara në historikun e Bashkisë së Tiranës, ndërsa qytetarët presin vendimin për të ardhmen e kryebashkiakut.

Reklamë

Në rast se kryebashkiaku shkarkohet, ai ka të drejtë ta ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese 15 ditë më vonë, më pas është ky organ që jep verdiktin.