Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet ditën e martë, më datë 23 shtator, në orën 16:00. Në mbledhjen e së martës që pritet të thirret nga kryetarja e Këshillit Bashkiak Megi Fino, pritet të bëhet dhe të dorëzohet kërkesa zyrtare për shkarkimin e Erion Veliajt me arsyetimin se ka munguar për më shumë se 3 muaj në krye të detyrës, duke ju referuar pikës c, neni 62 të ligjit “për vetëqeverisjen vendore”.

Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të këshilltarëve socialistë të bashkisë, që u mbajt në selinë e Partisë socialiste.

Ky është hapi i parë zyrtar i PS-së për nisjen e procedurave për shkarkimin e Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti. Pas nisjes së procedurave nga Këshilli Bashkiak, do të jetë Këshilli i Ministrave që do të vendosë për shkarkimin e kryetarit të bashkisë. Pas kësaj, Veliaj do të ketë 15 ditë kohë ta ankimojë vendimin për shkarkim në Gjykatën Kushtetuese.

Reklamë

Po çfarë thonë neni 62 i ligjit “për vetëqeverisjen vendore” për procedurat e shkarkimit të kryetarit të bashkisë?

Shkarkimi i kryetarit të bashkisë, Neni 62

Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:

a) Kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;

b) Dënohet për kryerjen e një vepre penale me vendime të formës së prerë nga gjykata;

Reklamë

c) Propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3 mujore të pandërprerë.

Megjithatë ky nen ka paqartësi dhe interpretim të kuadrit ligjor, pasi është e paqartë nëse mungesa në detyrë duhet të jetë e arsyetuar apo jo.

“Duke qenë se për Veliajn nuk ka ende një vendim të formës së prerë, nuk mund të konsiderohen pikat a dhe b. e vetmja pikë mbi të cilën mund të mbështesin kërkesën e tyre është pikërisht pika c. Por është një prej neneve që ka patur më shumë interpretim, sepse pavarësisht që thuhet se mund të shkarkohet një kryetar bashkie për shkak të mosparaqitjes në detyrë për një periudhë 3 mujore të pandërprerë, nuk është përcaktuar nëse është pamundësi apo vullnet i lirë. Në këtë rast, në rastin e z.veliaj është pamundësi për shkak se ai ndodhet në arrest dhe nuk është një vullnet I lirë mos paraqitja në detyrë. MAdje për këtë arsye kryeministri Edi Rama ka kërkuar që tek Reforma zgjedhore të përfshihet dhe të qartësohet pikërisht ky nen në ligjin për bashkëqeverisjen vendore, duke qenë se është bërë precedeënt.”, tha gazetarja Omeri në një raportim për Klan News.

Këshilltarët socialistë të Bashkisë u vunë në lëvizje pasi kryeministri Edi Rama deklaroi në Asamblenë e PS-së, se kryeqyteti nuk mund të priste më asnjë ditë për punët që duhen bërë dhe njoftoi se do nisnin procedurat për shkarkimin e Veliajt. Ai gjithashtu, propozoi që në garë si kandidatja e PS-së për kryebashkiake të ishte Ogerta Manastirliu.

Reklamë

Kujtojmë se përveç Tiranës, këtë vjeshtë do të shkojnë në zgjedhje edhe pesë bashki të tjera: Vlora, pas dorëheqjes së Ermal Dredhës; Cërriku, pas zgjedhjes së kryebashkiakut për ministër Bujqësie; si dhe Berati, Mati dhe Tepelena.