Një aksion i përbashkët është zhvilluar mes prokurorisë së Brescia-s në Itali dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mediat italiane shkruajnë se janë lëshuar 24 urdhërarreste.

Operacioni ka goditur një grup shqiptar që merrej me trafik ndërkombëtar të drogës. Për këtë çështje ka edhe disa persona të arrestuar më herët për vepra të tjera. Baza e tyre ishte në qytetin e Durrësit në Shqipëri, sipas burimeve të gazetares Glidona Daci. Ndërsa në Itali ishte në Rovano dhe Plazzolo.

Për këtë rast, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka arrestuar oficerin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj. Sipas burimeve të gazetares Glidona Daci, ai është vënë nën hetim për nxjerrje sekreti, korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Reklamë

Mediat italiane shkruajnë se trafikohej kokainë nga Amerika e Jugut, ndërsa heroina nga Shqipëria. Autoritetet kanë sekuestruar një sasi të madhe parash dhe kanë zbuluar raste ku shoferë autobusësh transportonin drogë pa e ditur.

Nga ana tjetër disa kamionistë janë përfshirë me dashje në trafikun e paligjshëm.

Kujtojmë që gjatë këtij viti kanë qenë të shumta operacionet e përbashkëta të SPAK-ut me agjenci të huaja ligjzbatuese, sidomos italiane.