Një gjyqtar në Shqipëri është qëlluar për vdekje me armë zjarri gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Mediat në Shqipëri e kanë identifikuar gjyqtarin e vrarë si Astrit Kalaja.
Policia në Shqipëri tha se i dyshuari, E.Sh., 30 vjeç ishte palë në proces dhe dyshohet se shtiu drejt gjyqtarit.
Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur edhe R.K., 65 vjeç dhe E.K. 45 vjeç, babë e bir, të cilët ishin pala tjetër në proces.
Sipas autoriteteve, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.
“Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit”, u tha në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Mediat në Shqipëri kanë raportuar se rasti gjyqësor kishte të bënte me mosmarrëveshje pronësore dhe se i dyshuari shtiu drejt gjyqtarit pasi e dinte që do ta humbiste rastin në gjykatë.
Sipas, Top Channel gjyqtari i vrarë Kalaja në shtatë vjetët e fundit kishte ushtruar detyrën e anëtarit të Gjykatës së Apelit, ndërkaq në total kishte shërbyer për 18 vjet në sistemin e drejtësisë.
Në kuadër të procesit të vetting-ut të kryer në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, ai ishte rikonfirmuar në detyrën e gjyqtarit në dhjetor të vitit 2019.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e dënoi vrasjen e gjyqtarit Kalaja, duke e cilësuar si sulm ndaj sistemit të drejtësisë.
“Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale”, shkroi ai në Facebook.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ky këtë akt, që e cilësoi si agresion kriminal mbi gjykatësin, kërkon përgjigje më ekstreme ligjore ndaj të dyshuarit.
“Por, kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje e punonjësve të sigurisë nga administrata e gjykatës, duke përjashtuar çdo përfshirje të Policisë së Shtetit – në emër të pavarësisë së gjyqësorit”, tha Rama përmes një postimi në X.
Sipas tij, kjo ngjarje paraqet argument të fuqishëm për të mbështetur ashpërsimin në Kodin Penal për dënimet për armëmbajtje pa leje.
Për posedim të armëve pa leje parashihet dënim deri në 3 vjet burgim, sipas ligjeve në Shqipëri.
Sipas të dhënave nga Qendra për Ballkanin Juglindor dhe Evropën Lindore për Kontrollin e Armëve të Vogla (SEESAC), në Shqipëri janë regjistruar 213 incidente me armë zjarri nga janari deri në qershor të vitit 2025./REL