×
  • Lajme
  • Lajme / Infografika

    Numërohen mbi 99% te votave, kështu do të duket ndarja e ulëseve të Kuvendit

    Reporteri
    10 Shkurt 2025 | 22:17

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka dhënë një pasqyrë se si do të jetë përbërja e Kuvendit të ardhshëm, tash kur janë numëruar 99 përqind e votave.

    Sipas Cakollit, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 47 deputetë, PDK 25 deputetë, LDK 20 deputetë dhe AAK 8 deputetë, shkruan Reporteri.net.

    “Edhe pse ende mbeten në kalkulim rreth 100-120 mijë vota, përfshirë ato jashtë vendit dhe votat me kusht, ndikimi i tyre në rezultatin përfundimtar do të jetë margjinal. Derisa votat me kusht ndjekin të njëjtin trend si votat e rregullta, në votat jashtë vendit LVV tradicionalisht performon dukshëm më mirë (bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të kaluara)”, ka shkruar Cakolli.

    Ai ka treguar edhe sa mandate mund t’i shtohen VV’së nga votat e diasporës.

    “Nëse LVV fiton rreth 60% të votave jashtë vendit, mund të marrë deri në dy mandate shtesë, duke arritur në gjithsej 49 deputetë. Në variantin më pozitiv për LVV, kur fiton mbi 75% të votave jashtë vendit, mund të arrijë deri në 51 deputetë. Ndërsa, në variantin negativ për LVV-në, kur merr më pak se 50% të votave jashtë vendit, mund të bjerë në 46 mandate”, ka shkruar ai.

    Në fund ka sqaruar se votat/përqindja e partive që nuk e kalojnë pragun as nuk shpërndahen e as nuk i shtohen ndonjë partie tjetër – ato thjesht nuk llogariten gjatë ndarjes së mandateve./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!