×
  • Lajme
  • Lajme

    Arti si zë për të drejtat pronësore: Ekspozitë e veçantë nga artistët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian

    Reporteri
    24 Prill 2025 | 10:08

    Prishtinë, 23 prill 2025 – Në një ngjarje unike që ndërthur fuqinë e artit me të drejtat pronësore, në “Europe House” në Prishtinë u hap ekspozita “Promovimi i të drejtave pronësore të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian përmes artit”. Kjo ekspozitë nuk është thjesht një paraqitje vizuale artistike – por edhe një thirrje e fuqishme për ndërgjegjësim, përfaqësim dhe drejtësi sociale për komunitetet në Kosovë.

    Ekspozita është organizuar nga ATRC në bashkëpunim me organizatën Advancing Together dhe institucione të tjera relevante në kuadër të fushatës vetëdijësuese “Bëje Tënden. Regjistroje Pronën”, duke përfshirë edhe komunitetin artistik lokal.

    Përmes veprave të tyre, tre artistë nga komunitetet RAE – Bajram Mehmeti, Fahrija Mehmeti dhe Dashnim Berisha – sollën rrëfime të thella që prekin historitë personale të zhvendosjes, mungesës së pronës dhe të drejtës për të banuar.

    Secila pikturë bart në vete një realitet shpesh të padukshëm, por jashtëzakonisht të vërtetë.

    “Më vjen shumë mirë që pata rastin të vij këtu bashkë me motrën time dhe që përmes pikturave të mija të paraqes jetën dhe kulturën e komunitetit rom. Ju e dini që jeta e komunitetit rom është mjaftë e vështirë dhe kushtet e vështira që ne jetojmë dhe punojmë dhe më vjen mirë që përmes kësaj ekspozite kam mundësi të prezantoj jetën e komunitetit rom.” theksoi piktori Mehmeti.
    Hapjen e ekspozitës e përshëndeti edhe Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani, i cili theksoi rëndësinë e kësaj qasjeje inovative në promovimin e të drejtave pronësore të komuniteteve.

    “Është obligim që çdo qytetar ta ketë të regjistruar pronën sepse pa e regjistruar pronën nuk mund të bësh asgjë, nuk mund të marrësh asnjë mbështetje nga subvencionet e shumta, as nuk mund të hapësh ndonjë biznes, pra nuk mund të bësh asgjë” tha zëvendësministri i MKRS-së Sylejman Elshani.

    Edhe Drejtori Ekzekutiv i ATRC-së, Kushtrim Kaloshi e vlerësoi këtë ekspozitë si pjesë të rëndësishme të fushatës “Bëje tënden. Regjistroje pronën!”

    “Çështjet pronësore janë problem i madh për Kosovën dhe jo vetëm këtu por i gjeni gjithandej. Angazhimi i organizatës Advancing Together ka qenë dhe vazhdon të mbetet mision, është me një qëllim për avancimin e të drejtave dhe avokimin në interes të komunitetit RAE. Përmes aktivitetit që po e shohim (po mundohemi që ta ndryshojmë në praktikë, e ndryshimi i këtyre realiteteve kryesisht varet nga ne që jemi këtu bashkë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe insitucioneve relevante” shtoi Drejtori Kaloshi.
    Për punën e jashtëzakonshme të piktorëve Mehmeti e Berisha foli edhe Drejtori Ekzekutiv i Advancing Together, Bashkim Ibishi i cili përmendi edhe punën e përditshme të organizatës.

    “Prona është një e drejtë kushtetuese por duhet ta kemi parasysh faktin që çështjet pronësore janë procese komplekse. Përgjatë angazhimit tonë kemi pasur mundësinë t’i vizitojmë mbi 900 familje në tërë Kosovën e qëllimi ka qenë hulumtimi i çështjeve apo problemeve më të cilat ballafaqohen komunitetet”, tha ai.

    Ekspozita është e hapur për publikun deri më 24 prill në ambientet e “Europe House” në Prishtinë duke filluar nga ora 11:00.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!