Gazeta online “Reporteri” ka zhvilluar intervistë me një përfaqësues të Wolt pas lansimit të platformës së njohur ndërkombëtarisht për shpërndarje të ushqimit dhe shitje me pakicë në Kosovë. Që nga hyrja në janar 2025, kompania teknologjike amerikano-finlandeze Wolt ka lënë menjëherë gjurmë në shërbimet digjitale dhe në ekonominë vendore. Drejtori Rajonal për Komunikim dhe Politika Publike në Wolt, Akis Stamoulis duke folur ekskluzivisht për Reporteri.net ka thënë se “Lansimi i Wolt në Kosovë në janar 2025 ka qenë ndër më të suksesshmit dhe efikasit në nivel global deri tani”.
Reporteri: Si shkoi fillimi i operimit të Wolt në Kosovë dhe cilat janë përshtypjet tuaja nga javët e para të funksionimit?
Akis Stamoulis: Lansimi i Wolt në Kosovë ka qenë një ndër më të suksesshmit dhe më efikasit në nivel global deri tani. Ne prezantuam diçka të re në tregun lokal, duke pasur si sfidë kryesore ndërtimin e një ekipi të fortë vendas dhe fitimin e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve në Kosovë. Që nga momenti i parë, synimi ynë ka qenë i qartë: të zgjerojmë vazhdimisht praninë tonë në ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës, duke i shërbyer vizionit tonë më të gjerë – për t’i bërë qytetet vende më të mira për komunitetet, bizneset dhe bashkëpunëtorët tanë shpërndarës.
Reagimi ka qenë pozitiv. Jemi sinqerisht të befasuar nga entuziazmi i bizneseve, partnerëve shpërndarës dhe konsumatorëve. Kultura kulinare e larmishme e Kosovës, infrastruktura digjitale në rritje dhe mjedisi miqësor ndaj biznesit kanë krijuar një bazë ideale për një fillim të fuqishëm. Është e qartë që tregu është i etur për shërbime të reja, të besueshme dhe me vlerë. Qysh në fillim, kemi dashur që Wolt të mos shihet vetëm si një kompani shpërndarjeje, por si një platformë teknologjike që i lidh të tri palët – bizneset, shpërndarësit dhe konsumatorët. Duke ofruar një përvojë efikase dhe unike, synojmë të transformojmë mënyrën se si kosovarët porosisin online – duke kombinuar shpejtësinë, larmishmërinë dhe besueshmërinë për t’iu përgjigjur një tregu që lëviz me shpejtësi.
Si do ta vlerësonit sjelljen e tregut kosovar në krahasim me vendet e tjera ku operon Wolt?
Akis Stamoulis: Siç e përmenda më lart, përgjigjja ka qenë shumë pozitive. Që nga autoritetet dhe institucionet, deri te bizneset lokale dhe përdoruesit e përditshëm, kemi marrë një mirëseardhje të ngrohtë nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Duhet kujtuar që Wolt, megjithëse operon në më shumë se 1000 qytete në botë dhe ka mbi 14.000 punonjës, në thelb mbetet një startup.
Në Kosovë kemi gjetur një mjedis rregullator që është njëkohësisht fleksibil dhe mbështetës ndaj inovacionit, çka është thelbësore për të operuar në mënyrë efikase dhe të përgjegjshme. Kosova është e vogël, por me ambicie të mëdha për t’u bërë një qendër rajonale për kompani inovative dhe për të konkurruar me pjesë të tjera të botës. Një shoqëri e re, që flet anglisht dhe është teknologjikisht e përgatitur, është e vendosur të ec përpara duke përqafuar teknologji dhe shërbime të reja. Në Wolt, misioni ynë mbetet i njëjtë: t’iu shërbejmë qytetarëve, të mbështesim ekonomitë lokale dhe të sjellim gëzim në familje dhe komunitete përmes shërbimeve të shpejta dhe të besueshme. Hapja e Kosovës ndaj inovacionit dhe popullsia e saj dinamike e bëjnë atë një vend të shkëlqyer për rritjen e Wolt.
Sa partnerë biznesi janë aktualisht aktivë në platformën tuaj në Kosovë dhe cilat kategori janë më të kërkuarat?
Akis Stamoulis: Platforma e Wolt në Kosovë është në rritje të shpejtë dhe aktualisht bashkëpunojmë me rreth 300 partnerë biznesi në sektorët e ushqimit, marketeve dhe shitjes me pakicë.
Modeli ynë bazohet në tre shtylla kryesore:
Konsumatorët: Ne sjellim thjeshtësi dhe shije të re në jetën e përditshme, duke i’u kursyer njerëzve më shumë kohë.
Bizneset: I ndihmojmë bizneset të rriten duke u ofruar më shumë prezencë dhe më shumë porosi – ndërsa ne merremi me logjistikën.
Partnerët shpërndarës: Ne ofrojmë fleksibilitet dhe liri, duke i lejuar shpërndarësit të punojnë sipas kushteve të tyre dhe të rrisin të ardhurat financiare.
Përmes teknologjisë sonë, kemi mundësinë të lidhim konsumatorët dhe partnerët shpërndarës me të gjitha llojet e dyqaneve – nga supermarketet dhe barnatoret, te luleshitësit, furrat, dyqanet e elektronikës dhe, natyrisht, restorantet – që kanë qenë gjithmonë pjesë qendrore e operacioneve tona. Të gjitha këto produkte mund të dërgohen në pragun e derës së konsumatorit për rreth 30 minuta, duke e bërë Wolt një “qendër tregtare” që vjen te ju shpejt dhe në mënyrë efikase. Kjo e ndryshon përfundimisht mënyrën se si i plotësojmë nevojat tona të përditshme.
A punoni me shpërndarës të pavarur apo ata trajtohen si punëtorë të rregullt? Si është strukturuar modeli juaj i shpërndarjes në Kosovë?
Akis Stamoulis: Modeli i preferuar i Wolt në nivel global është bashkëpunimi me shpërndarës të pavarur që kanë lirinë dhe fleksibilitetin të zgjedhin kur dhe sa gjatë duan të punojnë. Në rastet kur kjo nuk është e mundur, bashkëpunojmë me kompani shpërndarjeje.
Në Kosovë, e nisëm operimin duke bashkëpunuar me kompani shpërndarjeje (fleet companies), çka na lejoi të rritemi shpejt dhe të krijojmë një themel të qëndrueshëm dhe të besueshëm. Aktualisht, bashkëpunojmë me mbi 180 shpërndarës që kanë mundësi të gjenerojnë të ardhura përmes platformës sonë.
Së shpejti, planifikojmë të hapim platformën edhe për shpërndarës të pavarur. Kjo do t’i lejojë individët të punojnë me fleksibilitet maksimal – sipas kohës dhe kushteve të tyre. Qoftë studentë, profesionistë me orar të plotë apo mërgimtarë që kanë punuar më parë me Wolt jashtë vendit, qëllimi ynë është të krijojmë një platformë gjithëpërfshirëse ku të gjithë kanë mundësinë të kontribuojnë.
Sipas një sondazhi të vitit 2024 nga Copenhagen Economics, 87% e shpërndarësve të Wolt në mbarë botën preferojnë të punojnë si bashkëpunëtorë të pavarur në vend se si punonjës të rregullt – me fleksibilitetin si arsye kryesore. Madje, 75% e tyre deklarojnë se fleksibilitetin që ua ofron Wolt nuk e gjejnë askund tjetër. Ky fleksibilitet është një element kyç i modelit tonë të biznesit dhe në qendër të mbështetjes që u japim partnerëve tanë shpërndarës.
Çfarë mbështetje dhe trajnime ofroni për partnerët dhe shpërndarësit lokalë për të garantuar cilësinë dhe sigurinë e shërbimit?
Akis Stamoulis: Siguria është përparësia jonë më e madhe. Sigurohemi që të gjithë shpërndarësit të marrin trajnime gjithëpërfshirëse, pajisje sigurie (helmetë, xhaketa, dorëza) dhe udhëzime operacionale që të garantohet një përvojë sa e sigurt aq edhe efikase. U japim përparësi të madhe trajnimeve, komunikimit dhe sigurisë publike.
Gjithashtu bashkëpunojmë me autoritetet lokale për të siguruar që jemi në përputhje me standardet e sigurisë rrugore dhe objektivat e lëvizshmërisë urbane. Këto partneritete na mundësojnë të mbajmë një dialog të hapur, të kontribuojmë në rrugë më të sigurta dhe të marrim pjesë në iniciativa që promovojnë zhvillimin lokal.
Wolt është i përkushtuar të jetë anëtar aktiv i komunitetit lokal në Prishtinë, jo vetëm një ofrues i shërbimeve digjitale. Përmes këtyre iniciativave, synojmë të promovojmë zhvillimin lokal dhe të krijojmë një mjedis më të sigurt dhe efikas për të gjithë të përfshirët.
Cilat janë planet afatshkurtra dhe afatgjata të Wolt në Kosovë? A planifikoni të zgjeroheni përtej Prishtinës?
Akis Stamoulis: Hapat tanë të ardhshëm fokusohen në tri fusha kyçe: zgjerimi gjeografik, zgjerimi i gamës së produkteve të vlefshme dhe investimi i vazhdueshëm në teknologji.
Qëllimi ynë është të zgjerojmë në mënyrë dinamike rrjetin tonë, duke sjellë Wolt më afër çdo lagjeje në Kosovë. Në të njëjtën kohë, po zgjerojmë gamën e produkteve tona me opsione të reja që përmbushin si nevojat e përditshme ashtu edhe kërkesat më të specializuara. Gjatë këtij rrugëtimi, do të vazhdojmë të investojmë në teknologji të reja për të ofruar një përvojë të personalizuar blerjeje që i përshtatet plotësisht nevojave dhe dëshirave të secilit klient në Kosovë.
Deri në fund të këtij viti, presim të kemi mbi 500 partnerë tregtarë pra biznese dhe qindra shpërndarës të rinj në platformë, duke forcuar praninë tonë në kryeqytet.
Pasi të konsolidojmë operacionet në Prishtinë, vitin e ardhshëm do të fillojmë vlerësimin e mundësive për zgjerim në qytete të tjera të Kosovës.
Gjithashtu, tani jemi bërë edhe zyrtarisht anëtarë të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (AmCham), dhe jemi duke ndërtuar partneritete afatgjata me akterë publikë dhe me sektorin privat. Emërimi i fundit i një Drejtori të Përgjithshëm për Kosovë dhe Shqipëri reflekton përkushtimin tonë për rritje të mëtejshme në rajon. Ne besojmë se Kosova ka potencialin të bëhet një lojtar kyç në rrjetin e Wolt – dhe jemi këtu për të ecur përpara së bashku me qytetarët e saj. Vizioni ynë afatgjatë është të kontribuojmë në mënyrë domethënëse në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, teksa e përhapim përvojën e blerjes online për çdo përdorues.