×
  • Lajme
  • Botë / Fitore e Melonit

    Dështon referendumi për shtetësinë në Itali, parashihte lehtësimin e rregullave

    Reporteri
    09 Qershor 2025 | 21:47
    Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë

    Një referendum për lehtësimin e rregullave për marrjen e shtetësisë dhe forcimin e ligjeve të punës në Itali ka dështuar për shkak të daljes së ulët në votime. Ky dështim është një fitore për kryeministren italiane, Giorgia Meloni, qeveria e së cilës i kishte bërë thirrje njerëzve që ta bojkotonin referendumin.

    Mbi 50 për qind e votuesve kërkohej të merrnin pjesë në votim, në mënyrë që referendumi dyditor të konsiderohej valid, por pasi u mbyllën votimet të hënën, rezultoi se vetëm mbi 30 për qind e votuesve kishin votuar në këtë referendum.

    Propozimi për referendum, i mbështetur nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, synonte të shkurtonte kohën që kërkohet për marrjen e shtetësisë.

    Një banor në moshë madhore që nuk është nga Bashkimi Evropian, dhe që nuk ka lidhje martesore apo gjaku me Italinë, aktualisht duhet të jetojë në këtë shtet për 10 vjet para se të mund të aplikojë për shtetësi – një proces që më pas mund të zgjasë edhe disa vite të tjera.

    Një fitore në këtë referendum do ta kishte shkurtuar këtë afat në pesë vjet, duke e vënë Italinë në një linjë me Gjermaninë dhe Francën.

    Por, kryeministrja Meloni, partia e së cilës, Vëllezërit e Italisë, me prirje të djathtë ekstreme, ka prioritet luftimin e emigracionit të parregullt, edhe pse qeveria e saj ka rritur numrin e vizave të punës për emigrantë, kishte thënë se ishte “absolutisht kundër” kësaj ideje.

    Shumë anëtarë të koalicionit të saj të djathtë i bënë thirrje qytetarëve të mos votojnë, në mënyrë që të mos arrihej pragu i nevojshëm për vlefshmërinë e votimit.

    Fleta e votimit përfshinte një pyetje për shtetësinë. Katër të tjera kishin të bënin me rritjen e mbrojtjes për punëtorët e pushuar nga puna, ata që gjenden në situata të pasigurta apo të përfshirë në aksidente në vendin e punës.

    Sekretari i përgjithshëm i sindikatës CGIL, Maurizio Landini, e dënoi pjesëmarrjen e ulët në votim dhe tha se ishte një tregues i një “krize të qartë demokratike” në Itali.

    Nën udhëheqjen e re, Partia Demokratike – që gjendet prapa Vëllezërve të Italisë, sipas sondazheve – kishte kërkuar mbështetjen për referendumin nga klasa punëtore e shoqërisë.

    Giovanbattista Fazzolari, krahu i djathtë i Melonit, tha se opozita “kishte dashur ta kthente këtë referendum në një referendum kundër qeverisë së Melonit”.

    Edhe nëse do të kishte kaluar, reforma nuk do të prekte ligjin për migrim, që shumë e konsiderojnë të padrejtë, i cili thotë se fëmijët e lindur në Itali nga prindër nga vende të huaja nuk mund të bëjnë kërkesë për shtetësi derisa të mbushin 18 vjet./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!