Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dha një përshkrim të mënyrës se si Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po e trajton krizën në Lindjen e Mesme gjatë bisedimeve të tyre të mërkurën.
Pasi Trump e krahasoi përplasjen mes Izraelit dhe Iranit me “dy fëmijë në oborrin e shkollës”, Rutte ndërhyri duke thënë se “babai ndonjëherë duhet të përdorë gjuhë të ashpër,” tha ai.
Në këtë rast, ishte e qartë kush ishte “babai”, shkruan CNN.
“Duhet të përdorësh gjuhë të ashpër,” u përgjigj Trump. “Të gjithë thonë, ‘Epo, duhet të përdorësh një fjalë të caktuar.’”
Trump mund t’i jetë referuar komenteve që bëri një ditë më parë, teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë, jo shumë kohë pasi palët kishin rënë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Katari.
“Janë dy shtete që kanë luftuar aq fort dhe aq gjatë, sa nuk e dinë çfarë dreqin po bëjnë,” tha Trump i irrituar, duke folur për Izraelin dhe Iranin teksa nisej drejt samitit të NATO-s në Holandë.
Krahasimi i Rutte-s ishte në harmoni me qasjen e tij të përgjithshme ndaj Trump-it këtë javë. Në një mesazh privat, që më pas Trump e bëri publik, Rutte e lavdëroi fuqishëm goditjen e Trump-it ndaj objektivave në Iran.
“Ajo ishte vërtet jashtëzakonshme, dhe diçka që askush tjetër nuk guxoi ta bëjë,” shkroi Rutte.
/Reporteri.net/