Kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, është deklaruar para gazetarëve pas takimit që zhvilloi sot me Presidenten Vjosa Osmani, lidhur me ngërçin për krijimin e institucioneve.
Peci tha se ka paqartësi se si do të veprohet tutje në rast se kalohet afati 30 ditor për konstituim i caktuar nga Gjykata Kushtetuese. Për këtë tha se ekziston mundësia që Presidentja Osmani t’i drejtohet sërish Kushtetueses, shkruan Reporteri.net.
“E vërteta është që tash jemi ba të gjithë ekspert të interpretimit të Aktgjykimit. Çështja është që ka paqartësi se cili do të jetë veprimi dhe nuk është lehtë i parashikueshëm se cilat do të jenë konsekuencat, Në një rrethanë të tillë ekziston mundësia që edhe Presidentja t’i drejtohet Kushtetueses për të qartësu tutje se çka ka dashtë kur e ka vendos afatin 30 ditor”, ka deklaruar Peci.
Peci u është drejtuar me një apel partive tjera.
“Ne po dojmë me besu që në ditët në vijim, para datës 26 korrik, partitë tjera opozitare, do të kenë mundësinë e reflektimit dhe gjetjes së një konsensusi. Vullneti iqytetarëve ka qenë shumë i qartë. Po shfrytëzoj rastin edhe njëhereë pas takimit me Presidenten me ba apel të gjithë partive politike që ti thirrin arsyes dhe mendjes së shëndoshë edhe të mundësojnë zgjedhjen dhe konstituimin e Kuvendit, për shkak se vetëm kjo është mundësia qysh mund ta kemi një qeveri për 15 ditë”, tha ai.
Ndryshe, sot do të bëhet përpjekja e 41’të për konstitutim./Reporteri.net