×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Sot përpjekja e 42-të për konstituimin e Kuvendit

    Reporteri
    05 Korrik 2025 | 8:06

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot mblidhen në përpjekjen e 42-të për konstituimin e legjislaturës së 9-të.

    Edhe pas aktgjykimit që nxori Gjykata Kushtetuese, në Kuvend sërish vazhdoi skenari i njëjtë meqë partitë politike po e lexojnë ndryshe aktgjykimin.

    Lëvizja Vetëvendosje po insiston se votimi i fshehtë – përmes të cilit synon që kandidatja e tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, e cila dështoi të merrte votat e nevojshme në votim të hapur – nuk është antikushtetues.

    Për partitë tjera kjo s’është e pranueshme meqë thonë se aktgjykimi i fundit i Kushtetueses e bën të qartë se kryeparlamentari duhet të zgjidhet sipas praktikave të deritanishme parlamentare – me votim të hapur.

    E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar situatën e bllokadës për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se votimi i fshehtë është i mundur nëse arrihet konsensus ndërmjet deputetëve për këtë formë të votimit.

    “Konstatimi i ekipit tim ligjor, me të cilin unë pajtohem, është që në qoftë se lexohet në tërësi aktgjykimi, votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi. Megjithatë për të kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë”, deklaroi Osmani.

    E para e shtetit paralajmëroi pasoja juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditëve, siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

    Ndërkohë, PDK dhe LDK për bllokadën e re në Kuvend kanë dërguar edhe dy kërkesa në Gjykatën Kushtetuese. Të dyja po kërkojnë që të shpallen antikushtetuese veprimet e Avni Deharit dhe të konstituohet Kuvendi sipas rendit të ditës.

    LDK-ja iu drejtua dje Kushtetueses për sqarim dhe tha se beson se vazhdimet e fundit të seancës konstituive janë bërë “në kundërshtim të plotë” me Kushtetutën e Kosovës dhe me konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 qershori. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!