×
  • Lajme
  • Lajme / Evakuimi

    Alarmi i rrejshëm për bombë dhe dy variantet e ndryshme se si erdhi – krejt çka ndodhi sot në prag të seancës konstituive

    Reporteri
    05 Korrik 2025 | 17:18

    Një kërcënim me bombë të shtunën në Kuvendin e Kosovës  detyroi evakuimin e deputetëve dhe shtyrjen e seancës konstituive për në mbrëmje. Ky kërcënim doli të jetë  i rrejshëm.

    Pati dy versione të ndryshme se në çfarë forme ka ardhur kërcënimi që çoi në evakuimin e Kuvendit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka thënë kërcënimi me bombë ka ardhur rreth orës 10:55, pak para se të niste seanca, e cila ishte paraparë për në orën 11:00. Ai tha se ndodhi përmes thirrjes telefonike.

    Gashi ka shtuar se besojnë se personi i dyshuar mund të ketë qenë nga një shtet jomik. Kjo, sipas tij, ka ardhur bazuar në theksin e të dyshuarit gjatë telefonatës që ka zhvilluar.

    “Njoftimi për kërcënim me bombë ka ardhur rreth orës 10:54. Gjitha njësitet e policisë kanë dalur në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Në vendin e ngjarjes janë edhe njësit k9 dhe njësiti për deminim, të cilët kanë bërë punën e vetë edhe ka rezultuar se është kërcënim i rrejshëm”, u shpreh ai.

    Ai tha se do të vazhdojnë me hetimet se nga ka ardhur telefonata anonime.

    “Nuk ka diçka që ja vlen të ceket nga vendi i ngjarjes, hetimet për thirrjen telefonike do të vazhdojnë, ka qenë me zë mashkulli me gjuhë angleze, ne mendojmë që është me aksent të shteteve jo mike”, tha ai.

    Ndërkaq, Policia e Kosovës konfirmoi për Gazetën Online Reporteri.net se kërcënimi për mjet shpërthyes në Kuvendin e Kosovës u bë përmes një mesazhi.

    “Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet. Policia e Kosovës ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt”, kanë thënë nga Policia.

    Se kërcënimi me bombë erdhi përmes një telefonate, e tha edhe deputeti i VV-së, Glauk Konjufca si dhe sekretari i Kuvendit, Arben Loshi, të cilët kanë thënë se kërcënimi është bërë përmes një telefonate.

    Konjufca, teksa doli nga Kuvendi pas kërkesës nga Policia, i pyetur nga gazetarët për formën e kërcënimit, ka thënë se sipas informacioneve që ka është bërë përmes një telefonate.

    “Me sa e di unë, vetëm përmes telefonatës, tjerat nuk i kemi të qarta”, deklaroi Konjufca.

    Njëjtë deklaroi edhe Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi, i cili para gazetarëve ndërsa njoftoi për vazhdimin e seancës në orën 20:00, tha se bëhet fjalë për një kërcënim që ka ardhur përmes një telefonate.

    Loshi ka thënë se personi që ka telefonuar ka folur në gjuhën angleze dhe ka thënë se një bombë në Kuvendin e Kosovës do të shpërthej brenda 10 minutave.

    Seanca e Kuvendit të Kosovës është shtyrë të mbahet për sonte në orën 20:00. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!