Një studim i ri ka zbuluar se njerëzit e ekspozuar ndaj niveleve më të larta të ndotjes së ajrit duket se kanë më shumë gjasa të zhvillojnë një lloj tumori në tru që zakonisht nuk shkakton kancer, por mund të çojë në probleme të tjera shëndetësore.
Meningiomat janë lloji më i zakonshëm i tumorit primar në tru dhe rriten aq ngadalë sa mund të duhen vite para se të zbulohen. Ato burojnë nga membranat që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore.
Rrallë janë kanceroze, por meningiomat mund të shkaktojnë probleme të tjera duke prekur indet, nervat ose enët e trurit.
Për studimin, studiuesit ndoqën gati katër milionë të rritur në Danimarkë gjatë një periudhe 21-vjeçare. Rreth 16,600 njerëz zhvilluan tumore të sistemit nervor qendror, përfshirë rreth 4,600 që zhvilluan meningiomë.
Studiuesit më pas vlerësuan nivelet e tyre të ekspozimit ndaj llojeve të ndryshme të ndotjes së ajrit, për shembull emetimet e trafikut dhe ndotja nga nafta, gjatë një dekade.
Njerëzit me më shumë ekspozim ndaj ndotjes së ajrit ishin në rrezik më të lartë për meningiomë, zbuloi analiza, por nuk kishte një lidhje të fortë midis ndotjes së ajrit dhe tumoreve më agresive të trurit, siç janë gliomat.
Rreziqet më të mëdha ishin nga grimcat ultra të imëta nga shkarkimet, tymi dhe emetimet.
Studimi nuk vërteton se ndotja e ajrit shkakton meningiomën, vetëm se ekziston një lidhje midis të dyjave.
“Ndërsa hulumtimi mbi efektet shëndetësore të grimcave ultra të imëta është ende në fazat e hershme, këto gjetje tregojnë një lidhje të mundshme midis ekspozimit ndaj grimcave ultra të imëta të lidhura me trafikun dhe zhvillimit të meningiomës”, tha në një deklaratë Ulla Hvidtfeldt, një nga autoret e studimit.
Kjo tregon se “ndotja e ajrit mund të ndikojë në tru, jo vetëm në zemër dhe mushkëri”, shtoi Hvidtfeldt.