Qeveria franceze ka mbrojtur vendimin për t’u dhënë shtetësinë aktorit të famshëm George Clooney, bashkëshortes së tij avokate të të drejtave të njeriut Amal Clooney, si dhe binjakëve të tyre Ella dhe Alexander, duke theksuar se “kontribuojnë me veprimet e tyre të dalluara në ndikimin ndërkombëtar dhe shtrirjen kulturore të Francës”.
Vendimi u publikua fundjavën e kaluar në Journal Officiel, ku shpallen dekretet zyrtare të qeverisë franceze. Megjithatë, ai u shoqërua me polemika, pasi një ministre e re e Brendshme, Marie-Pierre Vedrenne, shprehu shqetësim se çifti i famshëm mund të perceptohet si i privilegjuar. “Mesazhi që po dërgohet nuk është i mirë. Ka një çështje drejtësie që është thelbësore,” tha ajo, citon Associated Press.
Pse Clooney-t morën shtetësinë franceze
Çifti bleu një pronë në Francë në vitin 2021, të cilën e kanë deklaruar si rezidencën e tyre kryesore. Sipas Ministrisë së Jashtme, ata ishin të kualifikuar për shtetësi sipas ligjit francez që lejon natyralizimin e të huajve që kontribuojnë në ndikimin ndërkombëtar dhe mirëqenien ekonomike të vendit.
Në këtë rast, George Clooney pritet të sjellë ndikim pozitiv për industrinë franceze të kinemasë si një yll global. Ndërsa Amal Clooney bashkëpunon rregullisht me institucione akademike dhe organizata ndërkombëtare në Francë.
“Si shumë qytetarë francezë, jemi të lumtur të mirëpresim Georges dhe Amal Clooney në komunitetin kombëtar,” tha ministria, duke i dhënë emrit të aktorit një tingull francez me shtimin e “s” në fund.
Vendimi u mbrojt edhe nga ministri i Brendshëm Laurent Nuñez, i cili nënshkroi dekretin e natyralizimit. “Është një mundësi e madhe për vendin tonë,” u shpreh ai.
Ndërkohë, Clooney ka pranuar se po përpiqet të mësojë frëngjisht me një aplikacion, ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët e tij e flasin gjuhën rrjedhshëm. Ai madje ka bërë shaka se familja flet frëngjisht para tij për të thënë gjëra “të tmerrshme” pa e kuptuar.
Mediat franceze raportojnë se familja Clooney jetojnë pjesërisht në vilën e tyre luksoze të shekullit XVIII pranë qytetit Brignoles në jug të Francës, ku gëzojnë privatësi dhe fëmijët mbrohen nga paparacët falë ligjeve franceze. Clooney ka thënë se vendimi për të jetuar në Francë lidhet me dëshirën për t’i rritur fëmijët larg kulturës së Hollywood-it dhe presionit të paparacëve.