Deputetët e Vetëvendosjes, Sali Zyba dhe Fitore Pacolli, kanë kundërshtuar ndarjen e procedurës në rastin ku bashkë me Ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, akuzohen për hedhjen e gazitlotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Pavarësisht kundërshtimeve, Gjykata ka vendosur që ta veçojë procedurën ndaj Sveçlës. Pas leximit të aktakuzës, Zyba dhe Pacolli janë deklaruar të pafajshëm. Në këtë rast akuzohet edhe ish-deputetja Drita Millaku, shkruan Reporteri.net.

Sveçla sot nuk mori pjesë ne seancë me arsyetimin se ndodhet jashtë vendit, teksa i pranishëm ishte vetëm avokati i tij.

Në kundërshtimin për ndarje të lëndës, Zyba tha se kjo vetëm sa do ta zvarriste procesin.

Reklamë

“E kundërshtojmë. Së pari që shumë muaj është zvarrit procesi, pasi të gjithëve na ngarkon aktakuza me arsye të njejtë”, tha Zyba.

Zyba gjatë seancës ka kërkuar edhe përjashtimin e prokurorit të rastit.

Avokati i Pacollit, Lavdrim Salihu, ka thënë se nuk mund të ndahen rastet.

“E kundërshtojmë për shkak të provave shkresave të lëndës por edhe vetë përshkrimit faktik të aktakuzës nuk mund t’i cilësojmë si raste të ndara duke shtuar faktin se një ndarje e sërishme e lëndës do të rezultonte më vështirësimin e një mbrojtjeje efektive përpara. Konsideroj se për shkak se vepra penale nuk arrin parashkrimin edhe për 8 vite nuk cenohet parimi i efikasitetit të procedurës”, ka deklaruar ai.

Reklamë

Pacolli tha më pas se pajtohet me avokatin e saj.

“Nuk kam koment, pajtohem me mbrojtësin tim”, deklaroi ajo.

Gjyqtari tha se për gjykatën s’paraqet problem as gjykimi ndaras.

“Mund të vazhdoj edhe ndaras, për gjykatën nuk paraqet problem”./Reporteri.net

Reklamë