Besëtytnia besohet gjerësisht se e ka origjinën nga Darka e Fundit. E premtja e parë me datë 13 për vitin 2026 ka mbërritur – një datë sinonim i fatkeqësisë për ata që janë supersticiozë.

Ky vit sjell një dozë të trefishtë tersllëku, pasi dita e 13-të e muajit bie të premte në shkurt, mars dhe nëntor.

Besëtytnia besohet gjerësisht se lidhet me Darkën e Fundit, ku 13 persona – Jezu Krishti dhe 12 dishepujt e tij – u mblodhën të Enjten e Madhe, një natë para kryqëzimit të tij nga ushtarët romakë të Premten e Madhe. Kjo e lidh numrin 13 me Judë Iskariotin, tradhtarin e Krishtit, dhe e konsideron atë si numër të papërsosur në krahasim me 12-shin, që përfaqëson muajt e vitit.

Reklamë

Lidhja mes ditës dhe datës është gjurmuar gjithashtu te arrestimi i qindra Kalorësve Templarë nga Mbreti Filipi IV i Francës, të premten, më 13 tetor 1307. Kryqtarët katolikë u arrestuan, nën presionin e Papa Klementit V, pas akuzave të bëra nga një ish-anëtar i përjashtuar nga kisha, se rekrutët e rinj të urdhrit detyroheshin të pështynin mbi kryqin, të mohonin Krishtin dhe të përfshiheshin në akte homoseksuale gjatë ceremonive të inicimit.

Këto pretendime, që duket se ishin krejtësisht të pabazuara, shërbyen si pretekst i leverdishëm për Filipin që të përndiqte urdhrin e pasur dhe të shlyente borxhet që ua kishte, pas luftës me Anglinë. Të akuzuar për korrupsion moral dhe financiar dhe për adhurim të idhujve të rremë, shpesh pas rrëfimeve të marra nën torturë, shumë nga kalorësit u dogjën më vonë në turrën e druve në Paris.

Mjeshtri i Madh i urdhrit, Zhak de Mole, u përball me flakët përpara Katedrales Notre Dame dhe thuhet se lëshoi një mallkim ndaj atyre që përndoqën anëtarët e tij: “Zoti e di kush gabon dhe kush ka mëkatuar. Së shpejti do t’i ndodhë një fatkeqësi atyre që na kanë dënuar me vdekje.”

Ngjarjet e nisura nga arrestimi i këtyre luftëtarëve të shenjtë, sipas traditës, bënë që çdo e premte me datë 13 të konsiderohej ogur i keq për të gjithë, ndërsa mallkimi i De Mole vazhdoi të jehonte ndër shekuj. Frika irracionale nga kjo datë njihet si paraskevidekatriafobi.

Në vendet spanjishtfolëse dhe në Greqi, është e marta me datë 13 ajo që i frikëson njerëzit. Në Itali, është e premtja me datë 17.

Reklamë

Shenja të tjera të njohura të fatit të keq përfshijnë një mace të zezë që kalon para teje, thyerjen e një pasqyre, kalimin nën një shkallë, hapjen e një çadre brenda shtëpisë dhe përmendjen e emrit të “dramës skoceze” të Shekspirit në teatër.