Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se sapo ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011, shkruan Reporteri.net.

Osmani i ka ftuar të gjitha partitë që t’i votojnë këto amandamente.

Ajo ka thënë se tash e tutje “le të flasë populli”.

Reklamë

“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!”, ka shkruar Osmani.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar mbrëmë se do ta propozojë për President Glauk Konjufcën.

Nga kjo parti kanë ftuar opozitën që ta propozojë kandidatin tjetër. PDK, LDK kanë insistuar për një marrëveshje politike ose kandidat konsensual, ndonëse deri tash nuk kanë dhënë ndonjë propozim konkret.

VV ka deklaruar se se nënshkrimet ia ka ofruar edhe presidentes aktuale, Vjosa Osmani, e cila po synon edhe një mandat, por se ajo ka refuzuar.

Reklamë

Këto pretendime, nga Presidenca janë quajtur gënjeshtra./Reporteri.net