Ed Sheeran ka zbuluar se bashkëshortja e tij, Cherry Seaborn, tashmë është në fazën pas përballjes me kancerin, ndërsa ka rrëfyer momentin e vështirë kur mësoi për diagnozën e saj.

Mjekët zbuluan se Cherry kishte një tumor në krah në shkurt të vitit 2022, në një kohë kur ajo ishte gjashtë muajshe shtatzënë me fëmijën e tyre të dytë, vajzën Jupiter.

Këngëtari 35-vjeçar tregoi se java kur mori këtë lajm ishte një nga më të vështirat e jetës së tij. Në të njëjtën periudhë humbën jetën edhe dy miqtë e tij të ngushtë, Jamal Edwards dhe Shane Warne, ndërsa ai po përballej edhe me një proces gjyqësor për këngën e tij të famshme Shape of You, për të cilën akuzohej për plagjiaturë, një çështje që më vonë e fitoi.

Reklamë

“Dita kur Cherry më telefonoi dhe më tha se kishte kancer ishte ndoshta një nga ditët më të këqija,” rrëfeu Sheeran.

Pas lindjes së vajzës së tyre Jupiter, Cherry iu nënshtrua një operacioni për heqjen e tumorit. Sipas këngëtarit, sot ajo është mirë dhe jashtë rrezikut.

“Ajo është mirë. Bëri operacionin. Ishte shtatzënë në atë kohë dhe kjo e bënte gjithçka më të vështirë. Tumori u hoq pas lindjes së fëmijës tonë të dytë. Fatmirësisht, gjithçka shkoi mirë,” tha ai.

Fillimisht, kur Cherry kërkoi ndihmë mjekësore, një mjek i tha se situata dukej shumë serioze dhe se bëhej fjalë për kancer. Çifti përjetoi një muaj ankthi duke pritur analizat e plota, ndërsa mjekët nuk mund të nisnin trajtim për shkak të shtatzënisë.

Pas analizave më të detajuara mbi tumorin, u zbulua se ai ishte më pak i rrezikshëm nga sa mendohej në fillim dhe se operacioni mund të bëhej pasi ajo të lindte.

Reklamë

Cherry e përshkroi atë moment si një lehtësim të madh: “Ishte një lajm i jashtëzakonshëm kur kirurgu na tha se mund të prisnim deri në fund të shtatzënisë për ta hequr tumorin. Nuk na duhej të rrezikonim lindjen e parakohshme.”

Çifti mirëpriti vajzën Jupiter në maj të vitit 2022 dhe janë gjithashtu prindër të një vajze tjetër, Lyra.

Në një kontroll pas operacionit, Cherry mori një tjetër lajm të mirë: tumori nuk ishte rikthyer dhe analizat rezultuan të pastra, një moment që ajo e përshkroi si “shumë të madh” për familjen e tyre.