Përkrahja e madhe që pritet të marrë Kosova nga tifozët e saj në ndeshjen ndaj Sllovakisë ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave sllovake.

Mediumi Sportovy.cas raporton se interesimi i tifozëve kosovarë për këtë përballje është shumë i madh, pasi biletat e dedikuara për sektorin e mysafirëve janë shitur në një kohë shumë të shkurtër. Kjo lë të kuptohet se në stadium pritet të ketë një prani të konsiderueshme të mbështetësve të Kosovës.

Sipas këtij mediumi, tifozët kosovarë njihen për pasionin dhe atmosferën që krijojnë, madje shpesh arrijnë të dominojnë në tribunat e stadiumeve edhe kur skuadra e tyre luan në transfertë.

Reklamë

Ndërkohë, shqetësime për këtë situatë ka shprehur edhe Federata e Futbollit të Sllovakisë. Ata druajnë se numri i madh i tifozëve nga Kosova mund të ndikojë në atmosferën e stadiumit, një skenar i ngjashëm me atë që kishte ndodhur në vitin 2013, kur përkrahësit e Bosnjës kishin qenë shumë të pranishëm.

Përfaqësuesi i federatës sllovake, Juraj Curny, ka bërë të ditur se organizatorët po e monitorojnë nga afër këtë çështje dhe po marrin masa për të menaxhuar situatën në mënyrën më të mirë të mundshme.