Sulmuesi kuqezi, Armando Broja është rikthyer në listën e lojtarëve të disponueshëm për Burnley në ndeshjen e djeshme ndaj Bournemouth, e vlefshme për javën e 30-të të Premier League.

24-vjeçari do ta niste takimin nga stoli, një zhvillim i papritur duke marrë parasysh se vetëm dy ditë më parë trajneri Scott Parker kishte bërë të ditur se Broja kishte filluar vetëm stërvitjet individuale pas dëmtimit.

Sulmuesi shqiptar kishte mbetur jashtë aktiviteteve intensive me ekipin që prej 20 shkurtit për shkak të një lëndimi, por prania e tij në pankinë tregon se rikuperimi ka shkuar në drejtimin e duhur.

Reklamë

Në Premier League është praktikë që lojtarët të mos përfshihen në listën e ndeshjes nëse nuk janë gati për të luajtur, çka e bën këtë rikthim edhe më domethënës.

Ky është një lajm inkurajues edhe për Kombëtaren e Shqipërisë.

Trajneri Sylvinho pret që Broja të jetë një opsion më shumë në prag të sfidës së rëndësishme ndaj Polonisë, që do të zhvillohet më 26 mars në Varshavë për fazën play-off të Kupës së Botës 2026.