Një ngjarje e frikshme ka ndodhur gjatë natës ndërmjet të hënës dhe të martës në shtëpinë e mesfushorit të Romës, Neil El Aynaoui, ku një grup hajdutësh ka hyrë dhe ka vjedhur para dhe bizhuteri. Futbollisti maroken, i ardhur në lagjen Trigoria në korrik të vitit të kaluar, ka përjetuar një moment të madh tmerri, pasi në shtëpi ndodheshin edhe katër anëtarë të tjerë të familjes së tij.

Sipas hetimeve, banda prej gjashtë personash ka hyrë në banesë duke prerë një grilë të sallonit dhe më pas duke përdorur një mjet të veçantë kanë krijuar një vrimë të vogël në derën me xham, duke çaktivizuar funksionin e dorezës dhe duke hyrë brenda. Ata ishin të armatosur dhe fytyrat e tyre të mbuluara me maska.

Në banesë ishin gjithë familjarët: El Aynaoui me partneren, nëna, vëllai dhe partnerja e tij. Banda nuk ka ushtruar dhunë direkte, por i ka mbyllur të gjithë në një dhomë, duke pasur gjithë kohën për të kërkuar dhe marrë bizhuteri me vlerë rreth 10 mijë euro, një orë Rolex dhe çanta të markave të njohura.

Reklamë

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë hetuesit e Seksionit Kundër Rrëmbimeve të Policisë Mobile, të koordinuar nga Roberto Giuseppe Pititto, të cilët tani janë në ndjekje të autorëve.

Agjentët po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, pasi një nga kamerat jashtë vilës mund të ketë kapur momentin e hyrjes së hajdutëve. Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një bandë të specializuar, e përbërë nga profesionistë të vjedhjeve në banesa, ndoshta nga Europa Lindore. Sipas hetimeve, hajdutët mund të kishin informacion që El Aynaoui ishte në shtëpi dhe vepruan me siguri, por vlera e grabitjes ishte e ulët, pasi futbollisti po përgatitej për të ndryshuar banesën.

El Aynaoui do të dëgjohet sërish nga hetuesit për të dhënë detaje mbi vlerën e saktë të sendeve të grabitura dhe për të përshkruar sa më qartë anëtarët e bandës, për të lehtësuar hetimet.